Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Planeti i jetës

Planeti i jetës

Në Tokë nuk do të kishte kurrë jetë po të mos ishte për një seri «rastësish» shumë fatlume, disa prej të cilave nuk njiheshin ose nuk kuptoheshin shumë deri në shekullin e 20-të. Ndër to janë:

  • Vendndodhja e Tokës në galaktikën Udha e Qumështit dhe në sistemin diellor, si edhe orbita e planetit, pjerrësia e boshtit, shpejtësia e rrotullimit dhe Hëna e pazakontë

  • Fusha magnetike dhe atmosfera, që shërbejnë si mburojë e dyfishtë

  • Ciklet natyrore që furnizojnë e pastrojnë ajrin e planetit dhe rezervat ujore

Teksa shqyrton secilën nga këto tema, pyet veten: «A janë veçoritë e Tokës fryt i rastësisë së verbër apo i një projekti të qëllimshëm?»

«Adresa» e përsosur e Tokës

A mund të ndodhej Toka në pozicion më të mirë për të mbajtur jetën?

Çfarë përfshin kur shkruan adresën tënde? Mund të vësh shtetin, qytetin dhe rrugën ku banon. Për krahasim, le ta quajmë galaktikën Udha e Qumështit «shtetin» ku ndodhet Toka, sistemin diellor—diellin dhe planetët e tij,—ta quajmë «qytetin» e Tokës dhe orbitën e saj brenda sistemit diellor ta quajmë «rrugën» ku banon Toka. Falë përparimeve në astronomi dhe fizikë, shkencëtarët i kanë kuptuar mirë epërsitë e strehës sonë të veçantë në univers.

Pikësëpari, «qyteti» ynë, pra sistemi diellor, ndodhet në një zonë ideale të galaktikës Udha e Qumështit, as tepër afër qendrës, as tepër larg saj. Kjo «zonë e banueshme», siç e quajnë shkencëtarët, ka përqendrimin e duhur të elementeve kimike të nevojshme për jetën. Po të shkosh më larg, këto elemente janë tepër të rralla, kurse, po të futesh më brenda, zona përreth është mjaft e rrezikshme për shkak të shtimit të rrezatimit vdekjeprurës dhe faktorëve të tjerë. «Jetojmë në lagjen më të zgjedhur»,—thuhet në revistën Scientific American.1

«Rruga» ideale: Po aq ‘e zgjedhur’ është edhe «rruga» e Tokës, pra orbita e saj në sistemin tonë diellor, në «qytetin» ku banon Toka. Kjo orbitë që gjendet rreth 150 milionë kilometra larg Diellit, ndodhet në një zonë të kufizuar që është e banueshme sepse gjallesat as ngrijnë, as piqen. Veç kësaj, itinerari i Tokës është gati rrethor, dhe kjo bën që largësia nga Dielli të mbetet thuajse e pandryshueshme gjithë vitin.

Nga ana tjetër, Dielli është «central elektrik» i përsosur. Është një burim i besueshëm energjie dhe ka përmasat e duhura në përpjesëtim me Tokën. Me të drejtë është quajtur «një yll shumë i veçantë».2

«Fqinja» e përsosur: Nëse do t’i zgjidhje një «fqinjë» Tokës, s’do të gjeje më të mirë se Hëna. Diametri i saj është pak më shumë se çereku i diametrit të Tokës. Prandaj, në krahasim me hënat e tjera të sistemit tonë diellor, Hëna jonë është mjaft e madhe për planetin të cilit i vjen përqark. Thjesht rastësi? Duket e pamundur.

Në radhë të parë, Hëna është shkaku kryesor i baticave që luajnë rol jetësor në ekologjinë e Tokës. Hëna ndihmon edhe që pjerrësia e boshtit të planetit të mbetet e njëjtë. Pa Hënën, që është bërë enkas për Tokën, planeti ynë do të lëkundej si fugë, e ndoshta do të kthehej sa në një anë në tjetrën. Ndryshimet te klima, te baticat dhe ndryshimet e tjera, do të ishin katastrofike.

Rrotullim dhe pjerrësi e përsosur: Pjerrësia e boshtit të Tokës prej rreth 23,4 gradësh shkakton ciklin vjetor të stinëve, zbut temperaturat dhe krijon lloj-lloj zonash klimatike. «Pjerrësia e boshtit të planetit tonë është ‘tamam siç duhet’»,—thuhet në librin Rare Earth—Why Complex Life Is Uncommon in the Universe.3

«Tamam siç duhet» është edhe gjatësia e ditës dhe e natës, që vjen nga rrotullimi i Tokës rreth vetes. Nëse shpejtësia e rrotullimit do të ishte shumë më e ngadaltë, ditët do të ishin më të gjata dhe pjesa e Tokës nga ana e Diellit do të përzhitej, kurse pjesa tjetër do të bëhej kallkan. Në të kundërt, sikur toka të rrotullohej shumë më shpejt, ditët do të ishin më të shkurtra, mbase vetëm pak orë, dhe rrotullimi i shpejtë i Tokës do të krijonte stuhi të tërbuara dhe pasoja të tjera të dëmshme.

Mburojat mbrojtëse të Tokës

Hapësira është një vend i rrezikshëm ku rrezatimi vdekjeprurës është i zakonshëm dhe meteoritët janë një rrezik i përhershëm. Megjithatë, planeti ynë i kaltër duket sikur del thuajse i paprekur teksa fluturon përmes këtij «poligoni qitjeje» në galaktikë. Përse? Sepse Toka mbrohet nga një armaturë mahnitëse: fusha magnetike e fuqishme dhe atmosfera e bërë enkas për të.

Mburoja magnetike e padukshme e Tokës

Fusha magnetike e Tokës: Qendra e Tokës është një lëmsh i madh hekuri të shkrirë që rrotullohet vazhdimisht, i cili bën që planeti ynë të ketë një fushë magnetike tejet të madhe e të fuqishme që shtrihet tutje në hapësirë. Kjo mburojë na mbron që rrezatimi kozmik të mos arrijë te ne me gjithë fuqinë e tij. Na mbron edhe nga forcat vdekjeprurëse që çliron Dielli, si: era diellore, që është një vërshim i vazhdueshëm grimcash me ngarkesë elektrike; shpërthimet diellore, që lëshojnë në minutë aq energji sa miliarda bomba hidrogjeni dhe shpërthimet në zonën e jashtme ose kurorën e Diellit, që hedhin në hapësirë miliarda tonë lëndë. Kemi disa përkujtues të dukshëm që na tregojnë sa na mbron fusha magnetike e Tokës. Shpërthimet diellore dhe ato të kurorës së Diellit shkaktojnë agime polare të fuqishme, një spektakël dritash shumëngjyrëshe që shihet lart në atmosferë afër poleve magnetike të Tokës.

Agimi polar

Atmosfera e Tokës: Kjo mbulesë e përbërë nga gaze, jo vetëm që na lejon të marrim frymë, por siguron edhe një mbrojtje tjetër. Një nga shtresat e jashtme të atmosferës, stratosfera, përmban ozon, një formë oksigjeni, që thith deri në 99 për qind të rrezatimit ultravjollcë (UV). Kështu, shtresa e ozonit mbron nga rrezet e rrezikshme mjaft gjallesa, përfshirë njerëzit dhe planktonin nga i cili varemi, sepse prodhon pjesën më të madhe të oksigjenit që thithim. Sasia e ozonit në stratosferë nuk është fikse. Ajo ndryshon, duke u rritur në varësi të intensitetit të rrezatimit UV. Ja pse shtresa e ozonit është një mburojë dinamike e efektshme.

Atmosfera na mbron nga meteorët

Atmosfera na mbron edhe nga breshëria e përditshme e mbetjeve hapësinore, miliona objekteve me përmasa nga grimca të vogla deri në madhësinë e një pople guri. Shumica dërrmuese e tyre digjen në atmosferë dhe bëhen shirita drite plot shkëlqim që quhen meteorë. Por, mburojat e Tokës nuk e bllokojnë rrezatimin e domosdoshëm për jetën, siç është nxehtësia dhe drita. Madje atmosfera ndihmon që nxehtësia të shpërndahet rreth e rrotull globit dhe natën shërben si batanije që nxehtësia të largohet më ngadalë.

Atmosfera dhe fusha magnetike e Tokës janë dy kryevepra të projektuara që ende nuk janë kuptuar plotësisht. E njëjta gjë mund të thuhet për ciklet që mbështetin jetën në këtë planet.

A është thjesht rastësi që planeti ynë mbrohet nga dy mburoja dinamike?

Ciklet natyrore jetësore

Nëse një qytet nuk do të furnizohej me ujë dhe s’do të kishte ajër të pastër e do t’i bllokoheshin kanalizimet, shpejt do të pasonin sëmundjet dhe vdekja. Por, planeti ynë i plotëson vetë nevojat e veta. Nuk është si një restorant, ku ushqimet dhe furnizimet vijnë nga jashtë dhe mbeturinat hidhen tej. Ajri dhe uji i pastër nga të cilët varemi, nuk vijnë nga hapësira, dhe as mbeturinat nuk hidhen në hapësirë. Atëherë, si ndodh që Toka të mbetet e shëndetshme dhe e banueshme? Përgjigjja qëndron te ciklet natyrore, siç janë cikli i ujit, i karbonit, i oksigjenit dhe i azotit, që shpjegohen këtu dhe paraqiten të thjeshtuara.

Cikli i ujit: Uji është i domosdoshëm për jetën. Askush nga ne s’jeton dot pa të më shumë se disa ditë. Me anë të ciklit të ujit shpërndahet ujë i freskët e i pastër në gjithë planetin. Ky cikël përfshin tri faza. (1) Nxehtësia e diellit bën që uji të ngrihet lart në atmosferë me anë të avullimit. (2) Kondensimi i këtij uji të pastër krijon retë. (3) Retë formojnë shiun, breshrin, llohën dhe borën që bien në tokë, gati për t’u avulluar sërish, duke mbyllur kështu ciklin. Sa ujë qarkullon çdo vit? Sipas disa llogaritjeve, aq sa do të mbulohej në mënyrë të njëtrajtshme e gjithë sipërfaqja e tokës me më shumë se 80 centimetra ujë.4

Ciklet e karbonit dhe të oksigjenit: Siç e di, për të jetuar, duhet të marrësh frymë, të thithësh oksigjen e të nxjerrësh dyoksid karboni. Por, meqë miliarda njerëz e kafshë marrin frymë, si ka mundësi që atmosfera nuk mbetet kurrë pa oksigjen dhe nuk mbingarkohet me dyoksid karboni? Përgjigjja gjendet në ciklet e karbonit dhe të oksigjenit. (1) Në një proces mahnitës që quhet fotosintezë, bimët thithin dyoksidin e karbonit që nxjerrim ne, pastaj e përdorin atë dhe energjinë diellore për të prodhuar karbohidrate dhe oksigjen. (2) Kur thithim oksigjen, ne e mbyllim këtë cikël. I gjithë ky prodhim karbohidratesh dhe oksigjeni ndodh pa ndotje, me efektshmëri dhe pa u ndier.

Cikli i azotit: Jeta në tokë varet edhe nga prodhimi i molekulave organike, siç janë proteinat. (A) Për të prodhuar këto molekula, duhet azot. Lumturisht, ky gaz përbën rreth 78 për qind të atmosferës sonë. Vetëtimat dhe bakteret e shndërrojnë azotin në përbërje që mund të thithen nga bimët. (B) Bimët pastaj i shfrytëzojnë këto përbërje për të formuar molekulat organike. Kështu, edhe kafshët që ushqehen me këto bimë, marrin azot. (C) Së fundi, kur kafshët dhe bimët vdesin, bakteret zbërthejnë përbërjet e azotit. Ky proces kalbjeje e çliron sërish azotin në dhé e në atmosferë, duke mbyllur ciklin.

Riciklim i përsosur

Me gjithë teknologjinë e përparuar, njerëzit krijojnë çdo vit kushedi sa tonë mbetje helmuese të pariciklueshme. Kurse Toka i riciklon në mënyrë të përsosur të gjitha mbeturinat e veta, duke përdorur metoda gjeniale të inxhinierisë kimike.

Si mendon se lindën sistemet e riciklimit të Tokës? «Nëse ekosistemi i Tokës vërtet do të kishte evoluar thjesht rastësisht, kurrsesi nuk do të kishte qenë në gjendje të arrinte një nivel kaq të përsosur harmonie ekologjike»,—thotë M. A. Koreji, që shkruan për fenë dhe shkencën.5 A je dakord me përfundimin që nxori ai?