Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 2

Qëndrojini besnikë njëri-tjetrit

Qëndrojini besnikë njëri-tjetrit

«Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Marku 10:9

Jehovai kërkon nga ne që ‘ta duam besnikërinë’. (Mikea 6:8, BR, anglisht) Kjo është e rëndësishme veçanërisht në martesë, sepse pa besnikëri, nuk ka besim. Dhe, besimi është thelbësor që dashuria të lulëzojë.

Sot besnikëria në martesë është nën sulm. Për të mbrojtur martesën, duhet të jesh i vendosur të bësh dy gjëra.

1 JEPI PËRPARËSI MARTESËS

ÇFARË THOTË BIBLA: ‘Sigurohu për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Martesa është një nga gjërat më të rëndësishme në jetë. E meriton t’i japësh përparësi.

Jehovai dëshiron që të përqendrohesh te bashkëshorti dhe ‘ta gëzoni jetën’ së bashku. (Eklisiastiu 9:9) Ai e tregon qartë se nuk duhet ta lësh kurrë pas dore bashkëshortin. Përkundrazi, të dy duhet të gjeni mënyra që ta bëni të lumtur njëri-tjetrin. (1 Korintasve 10:24) Bëje bashkëshortin ta ndiejë se ke nevojë për të dhe se e vlerëson.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Sigurohuni që të kaloni rregullisht kohë së bashku, duke i kushtuar vëmendje të plotë njëri-tjetrit

  • Mendo «ne» dhe jo «unë»

2 RUAJ ZEMRËN

ÇFARË THOTË BIBLA: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Nëse dikush bluan në mendje mendime imorale, në njëfarë kuptimi, ai po tregohet jobesnik ndaj bashkëshortit.

Jehovai thotë se duhet ‘të ruash zemrën’. (Proverbat 4:23; Jeremia 17:9) Që ta bësh këtë, duhet të ruash sytë. (Mateu 5:29, 30) Ndiq shembullin e patriarkut Job, i cili kishte bërë një besëlidhje me sytë e tij, që kurrë të mos e shihte me dëshirim një grua tjetër. (Jobi 31:1) Ji i vendosur të mos shohësh kurrë pornografi dhe të mos krijosh lidhje romantike me asnjë tjetër përveç bashkëshortit.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Bëjua të dukshme të tjerëve se je plotësisht i përkushtuar ndaj bashkëshortit

  • Merri parasysh ndjenjat e bashkëshortit dhe jepi fund menjëherë çdo lidhjeje që do ta bezdiste atë