Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur fillon jeta e njeriut?

Kur fillon jeta e njeriut?

Kur fillon jeta e njeriut?

«NËNA ime biologjike ishte 17 vjeçe dhe 7 muaj e gjysmë shtatzënë kur vendosi të bënte abort kripor»,—shpjegoi Xhana. * Më tej shtoi: «Unë jam njeriu që ajo abortoi. Jetova, nuk vdiqa.»

Këtë dëshmi, Xhana 19-vjeçare e dha në vitin 1996, gjatë një seance rreth temës së abortit, para një komiteti qeveritar të SHBA-së. Në kohën kur Xhana kishte mbushur shtatë muaj e gjysmë në mitrën e nënës, pjesët e trupit të saj ishin zhvilluar qartë. Me siguri jeni dakord se në të vërtetë ajo ishte një njeri, sepse vazhdoi të jetonte edhe jashtë mitrës.

Po mirë, ç’të themi kur Xhana ishte një embrion pesëjavësh, e gjatë rreth një centimetër? Vërtet, pjesët e trupit të saj nuk ishin formuar ende plotësisht, por ishte vënë baza për sistemin nervor, përfshirë edhe trurin. Zemra e saj rrihte 80 herë në minutë dhe e pomponte gjakun nëpër enë. Pra, përderisa Xhana ishte një njeri pas shtatë muaj e gjysmë në mitër, a nuk na çon logjika në përfundimin se ajo ishte një njeri edhe kur ishte pesëjavëshe, ndonëse jo aq e zhvilluar?

Mrekullia e ngjizjes

Zhvillimi i të gjitha pjesëve të embrionit zë fill nga ngjizja, kur qeliza vezë e gruas fekondohet nga një spermatozoid i burrit. Falë përparimeve në teknologji, shkencëtarët kanë vrojtuar ndryshimet mahnitëse që ndodhin në bërthamën e kësaj veze njëqelizore të fekonduar. Molekulat që formojnë ADN-në (acidin dezoksiribonukleik) e babait dhe të nënës kombinohen dhe krijojnë një jetë njerëzore që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.

Kjo qelizë e vetme fillestare nis vërtet një proces të mrekullueshëm: të ndërtojë një njeri plotësisht të zhvilluar. Natyra e këtij projekti «ndërtimi» përcaktohet nga gjenet, që janë segmente të ADN-së. Këto vendosin thuajse gjithçka për ne. Përcaktojnë gjatësinë, tiparet e fytyrës, ngjyrën e syve e të flokëve dhe mijëra veçori të tjera.

Pas kësaj, kur kjo qelizë fillestare ndahet, «udhëzimet» gjenetike kopjohen në çdo qelizë të re. Është mahnitëse që secila nga këto qeliza është programuar të zhvillohet në çfarëdolloj qelize që nevojitet. Këtu përfshihen qelizat e zemrës, të trurit, kockave, lëkurës, madje edhe të indit transparent të syve. Programimi që bëhet në fillim në qelizën fillestare për zhvillimin e një njeriu të ri unik, shpesh me të drejtë është quajtur «mrekulli».

«Qenia njerëzore është programuar plotësisht për rritjen dhe zhvillimin e njeriut gjatë gjithë jetës së tij që kur ishte vetëm një qelizë»,—tha dr. David Fu-Çi Marku, një biolog i shquar molekular. Ai nxori këtë përfundim: «S’ka më pikë dyshimi se çdo qenie njerëzore është krejt unike qysh në çastin e parë të jetës, kur ngjizet.»

A është një njeri në bark?

Që kur ngjizet në bark, fëmija nuk është thjesht pjesë e indit të nënës, por një njeri më vete. Trupi i nënës e konsideron atë si diçka të huaj. Do ta flakte menjëherë po të mos ishte «bota e mbrojtur» e krijuar në mitrën e nënës. Kjo jetë e re njerëzore, e ndarë nga nëna nëpërmjet një strehe mbrojtëse, është një njeri me ADN unike.

Disa argumentojnë se, meqë trupi i gruas aborton vetvetiu shumë vezë të fekonduara për shkak të ndonjë çrregullimi, atëherë pse mjeku nuk duhet të ndërpresë një shtatzëni? Megjithatë, ka një ndryshim të madh midis vdekjes së natyrshme dhe vrasjes së qëllimshme. Në një vend të Amerikës së Jugut, 71 në çdo 1.000 fëmijë vdesin pa mbushur një vjeç. Por, a do të ishte e pranueshme të vrisje një fëmijë nën moshën njëvjeçare vetëm sepse kaq shumë fëmijë vdesin para kohe? Sigurisht që jo.

Është kuptimplotë fakti që Bibla e përshkruan si jetë njerëzore atë që është në barkun e nënës. Psalmisti David shkroi për Perëndinë: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» (Psalmi 139:16) Davidi nuk thotë thjesht «një embrion», por «embrionin TIM», pra zbulon saktë se jeta e tij filloi kur u ngjiz, kohë para se të lindte. I frymëzuar nga Perëndia, Davidi tregoi edhe se, kur ai u ngjiz, zhvillimi i pjesëve të trupit do të ecte sipas një plani ose udhëzimeve të hollësishme që «ishin shkruar». Këto udhëzime e bënë atë pikërisht personin që ishte.

Ju lutemi të vëreni se Bibla nuk thotë se te gruaja ngjizet një copë indi. Përkundrazi thotë: «Një njeri . . . u ngjiz!» (Jobi 3:3, Simon Filipaj) Edhe kjo tregon se, sipas Biblës, fëmija ekziston si njeri që kur ngjizet. Po, pikërisht në këtë çast fillon jeta e njeriut.

[Shënimi]

^ par. 2 Aborti kripor kryhet me injektimin e një tretësire kripore helmuese në mitrën e nënës. Foshnja e gëlltit dhe zakonisht vdes brenda dy orësh. Pas nja 24 orësh, nëna lind një fëmijë të vdekur ose, në pak raste, një fëmijë që po vdes.

[Figurat në faqet 6, 7]

Embrioni pesëjavësh nuk është një copë indi: ai ka bazat për të gjitha organet e një njeriu të rritur

(madhësia e vërtetë)