Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PORTRETE NGA E KALUARA

Kiri i Madh

Kiri i Madh

Sipas kalendarit të sotëm, natën e 5-6 tetorit të vitit 539 p.e.s., Babilonisë, kryeqytetit të Perandorisë Babilonase, i ndodhi ajo që dukej e pamundur. Atë natë historike, qytetin e pushtoi ushtria e medëve dhe persëve, nën komandën e mbretit pers Kir, të njohur edhe si Kiri i Madh. Strategjia e tij ishte gjeniale.

SI E PUSHTOI KIRI BABILONINË

«Kur Kiri vendosi ta pushtonte, Babilonia ishte qyteti më i madhërishëm i Lindjes së Mesme, e ndoshta i gjithë qyteteve të botës»,—thuhet në librin Ancient World Leaders—Cyrus the Great. Lumi Eufrat rridhte përmes Babilonisë. Gjithashtu, ujërat e tij mbushnin hendeqet përreth mureve masive të qytetit—një sistem mbrojtës falë të cilit qyteti dukej i pamposhtshëm.

Në rrjedhën e sipërme të Eufratit, afër Babilonisë, ushtarët e Kirit i ndërruan drejtimin lumit, e kështu niveli i ujit brenda qytetit ra. Pastaj, çanë nëpër lumë, arritën te portat e qytetit që ishin lënë hapur dhe e morën Babiloninë pa hasur shumë qëndresë. Sipas Herodotit dhe Ksenofonit, historianë grekë, babilonasit ndiheshin aq të sigurt brenda qytetit të mbrojtur sa natën e sulmit, shumë po festonin, e ndër ta edhe mbreti. (Shiko kutinë  «Shkrimi është shfaqur në mur».) Veç kësaj, fitorja e Kirit plotësoi disa profeci biblike mbresëlënëse.

Pushtimi i Babilonisë nga Kiri u paratha në Bibël

 PARASHIKIME MBRESËLËNËSE

Profecitë e Isaisë kanë rëndësi të veçantë, sepse u shkruan rreth 200 vjet para se të ndodhnin ngjarjet—mbase 150 vjet para lindjes së Kirit. Ja disa profeci:

  • Një burrë me emrin Kir do të pushtonte Babiloninë dhe do të çlironte judenjtë.Isaia 44:28; 45:1.

  • Lumi Eufrat do të thahej, duke i hapur rrugën ushtrisë së Kirit.Isaia 44:27.

  • Portat e qytetit do të liheshin hapur.Isaia 45:1.

  • Luftëtarët e Babilonisë ‘do të reshtnin së luftuari’.Jeremia 51:30; Isaia 13:1, 7.

ÇLIRIM FALË NJË MREKULLIE

Më parë, në vitin 607 p.e.s., ushtria babilonase rrafshoi Jerusalemin dhe çoi në mërgim shumicën e të mbijetuarve. Sa kohë do të mbaheshin judenjtë atje? Perëndia tha: «Kur të jenë mbushur shtatëdhjetë vjet, do t’i kërkoj llogari mbretit të Babilonisë dhe atij kombi . . . dhe do ta bëj shkreti brez pas brezi.»Jeremia 25:12.

Siç u përmend, Kiri e pushtoi Babiloninë më 539 p.e.s. Pak pas kësaj, la të lirë judenjtë, që filluan të ktheheshin në atdhe më 537 p.e.s.—fiks 70 vjet pasi i syrgjynosën. (Ezdra 1:1-4) Kurse Babilonia me kalimin e kohës u bë «shkreti», duke vërtetuar edhe një herë saktësinë e profecive të Biblës.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Mendo pak: Bibla paratha (1) mërgimin 70-vjeçar të judenjve, (2) pushtimin e Babilonisë nga Kiri bashkë me aspektet kryesore të strategjisë së tij dhe (3) shkretimin përfundimtar të Babilonisë. Kjo njohuri që më përpara, nuk kishte si të vinte thjesht nga njerëzit. Një përfundim më logjik është ky: «Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia.» (2 Pjetrit 1:21) Pa dyshim, ia vlen t’i kushtojmë vëmendje Biblës.

^ par. 36 Këto terma tregojnë pesha monetare. Për një shpjegim të hollësishëm, shiko kapitullin 7 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.