Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur sëmuret një njeriu yt i dashur

Kur sëmuret një njeriu yt i dashur

«Kur babai do të dilte nga spitali, i kërkuam mjekut të shikonte edhe një herë analizat e tij të gjakut. Ai na siguroi se rezultatet ishin brenda normës, por për hatrin tonë i pa edhe një herë. Për habinë e tij, dy nga rezultatet ishin mbi normë. Kërkoi falje dhe i thirri një specialisti. Tani babai është mirë. Ama jemi të kënaqur që bëmë pyetje.»—Maribela.

Para vizitës, shkruaj simptomat dhe ilaçet

Vizitat mjekësore dhe shtrimi në spital mund të jenë shumë stresuese. Siç e tregon edhe përvoja e Maribelës, një mik a një i afërm mund të jetë një ndihmë e madhe, madje mund të shpëtojë jetë. Si ta ndihmosh një njeriun tënd të dashur?

Para vizitës. Ndihmoje të sëmurin të shkruajë simptomat, si edhe ilaçet, vitaminat e mineralet që merr. Shkruaj edhe pyetjet që i duhen bërë mjekut. Ndihmoje mikun të kujtojë çdo hollësi të problemeve të tij ose ndonjë familjar me të njëjtën sëmundje. Mos mendo se mjeku tashmë i di këto hollësi apo se do të pyesë vetë për to.

Ji i vëmendshëm, bëj pyetje me respekt dhe mbaj shënime

Gjatë vizitës. Sigurohu që ti dhe i sëmuri t’i kuptoni ato që thotë mjeku. Bëj pyetje, por jo pohime të forta. Lëre të afërmin të bëjë pyetje dhe të flasë vetë. Ji i vëmendshëm dhe mbaj shënime të hollësishme. Pyet për trajtimet që ekzistojnë. Në disa raste mund të jetë e mençur t’i sugjerosh të afërmit të kërkojë mendim nga një mjek tjetër.

Kujtoni bashkë udhëzimet e mjekut dhe ndiqni udhëzimet e recetës

Pas vizitës. Kujtoni bashkë bisedën që bëtë me mjekun. Sigurohu që të marrë ilaçet e duhura dhe të ndjekë udhëzimet e recetës. Nëse ka efekte anësore, të informojë menjëherë mjekun. Jepi zemër që të mbajë një qëndrim pozitiv dhe të ndjekë udhëzimet shtesë, si për shembull çfarë të bëjë pas mjekimit. Ndihmoje të informohet më shumë për sëmundjen.

Në spital

Sigurohu që të gjitha kartelat të plotësohen siç duhet

Ji i qetë dhe i vëmendshëm. Kur një pacient shkon në spital, mund të ndihet i shqetësuar dhe i dëshpëruar. Ruaj qetësinë dhe ji i vëmendshëm, sepse kështu i ndihmon të gjithë të qetësohen dhe të mos bëjnë gabime. Sigurohu që kartelat e shtrimit në spital të plotësohen siç duhet. Respekto të drejtën e pacientit për të marrë vendime të mirinformuara. Nëse ai nuk merr dot vendime për shkak të gjendjes së rëndë, respekto dëshirat e tij tashmë të hedhura me shkrim që një i afërm a një përfaqësues për kujdesin shëndetësor të marrë vendime në vend të tij. *

Me respekt, tregoji personelit gjërat që ke vënë re

Merr iniciativën. Mos ngurro të shprehesh. Pamja jote dinjitoze dhe sjellja e mirë mund ta nxitin personelin mjekësor të interesohen dhe madje të kujdesen më shumë për pacientin. Në mjaft spitale pacientët janë nën kujdesin e mjekëve të ndryshëm. Prandaj, mund t’i ndihmosh duke u treguar çfarë kanë thënë pjesëtarët e tjerë të personelit. Ti e njeh mirë të sëmurin, prandaj bëju të qartë çdo ndryshim që vëren në gjendjen e tij fizike ose mendore.

Bëj gjithë sa mundesh, por pa i penguar të tjerët

Trego respekt dhe mirënjohje. Personeli i spitalit shpesh punon nën stres. Trajtoji siç do të doje të të trajtonin edhe ty. (Mateut 7:12) Trego respekt për stërvitjen dhe përvojën e tyre, besim te aftësitë e tyre dhe mirënjohje për punën që bëjnë. Ky vlerësim mund t’i shtyjë të bëjnë më të mirën.

Askush nuk u shpëton dot sëmundjeve. Por me parapërgatitje dhe ndihmë praktike, mund t’ia bësh sa më të lehtë mikut a të afërmit situatën e vështirë.Proverbat 17:17.

^ par. 8 Ligjet dhe zakonet për të drejtat dhe përgjegjësitë e pacientit ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Sigurohu që dokumentet e pacientit me dëshirat e tij të jenë të plotësuara dhe të përditësuara.