Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ia vlen ta njohësh Perëndinë?

Pse ia vlen ta njohësh Perëndinë?

Deri tani shqyrtuam disa fakte që na ndihmuan të zbulonim gradualisht se kush është Perëndia. Si fillim mësuam nga Bibla se emri i tij është Jehova dhe se cilësia e tij kryesore është dashuria. Shqyrtuam edhe se çfarë ka bërë e ç’do të bëjë për të mirën e njerëzve. Megjithëse njohuria për Perëndinë s’ka fund, mbase pyet veten pse ia vlen të mësosh më shumë.

Jehovai premton se, «nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh». (1 Kronikave 28:9) Imagjino ç’dhuratë e çmuar të pret teksa e kërkon dhe vazhdon ta njohësh​—‘një miqësi e ngushtë me Jehovain’. (Psalmi 25:14) Ç’dobi mund të të sjellë kjo miqësi?

Lumturi të vërtetë. Jehovai është përshkruar si ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Teksa afrohesh me Perëndinë dhe jeton sipas normave të Tij, do të kesh lumturi të vërtetë, e si rrjedhojë, dobi emocionale, mendore dhe fizike. (Psalmi 33:12) Gjithashtu do të kesh një jetë të lumtur, duke shmangur stilet e dëmshme të jetës, duke zhvilluar zakone të dobishme dhe duke shkuar mirë me të tjerët. Do të jesh në një mendje me psalmistin, që tha: «Është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.»​—Psalmi 73:28.

Kujdes dhe vëmendje personale. Jehovai u ka dhënë fjalën shërbëtorëve të tij: «Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» (Psalmi 32:8) Kjo do të thotë se Jehovai interesohet për secilin dhe i siguron fiks atë që ka nevojë. (Psalmi 139:1, 2) Kur të lidhësh miqësi me Jehovain, do të vëresh se ai është gjithnjë përkrah teje.

Një të ardhme fantastike. Përveçse të ndihmon të kesh një jetë të lumtur e të kënaqshme tani, Perëndia Jehova të ka hapur dyert e një të ardhmeje të mrekullueshme. (Isaia 48:17, 18) Bibla thotë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Në këto kohë të trazuara, shpresa që ofron Perëndia mund të jetë si një spirancë që na mban «të sigurt dhe të patundur».​—Hebrenjve 6:19.

Ka plot arsye të rëndësishme pse duhet ta njohim më mirë Perëndinë e të krijojmë miqësi me të, dhe në këtë artikull pamë vetëm disa prej tyre. Për më shumë informacion të dobishëm, të ftojmë të flasësh me një Dëshmitar të Jehovait ose të vizitosh sitin jw.org.