Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vëru veshin paralajmërimeve dhe do të shpëtosh!

Vëru veshin paralajmërimeve dhe do të shpëtosh!

MË 26 DHJETOR 2004 një tërmet prej 9.1 ballësh (sipas shkallës Rihter) tundi ishullin e Simalurit, në veriperëndim të bregut të Sumatrës, Indonezi. Të gjithë ata që ishin në breg panë nga deti. Niveli i zbaticës po ulej më shpejt dhe më shumë se normalisht. Sakaq, të gjithë u turrën drejt kodrave duke bërtitur «Smong! Smong!», që në gjuhën vendëse do të thotë tsunam. Brenda 30 minutash dallgë të fuqishme u përplasën furishëm në breg dhe shkatërruan pjesën dërrmuese të shtëpive e të fshatrave.

Ishulli i Simalurit ishte vendi i parë që u godit nga ai tsunam shkatërrimtar. Edhe pse ishin 78.000 banorë, vdiqën vetëm 7 veta. Pse kaq pak në krahasim me numrin e banorëve? * Banorët e ishullit kanë një shprehje: «Nëse ndien një tronditje të fortë dhe deti tërhiqet, vrapo për te kodrat, se deti shumë shpejt do të kthehet e do t’i kalojë kufijtë.» Përvoja i kishte mësuar të dallonin afrimin e një tsunami nga shenjat që jepte deti. Bindja ndaj paralajmërimit u shpëtoi jetën.

Bibla flet për një shkatërrim që po afron, «një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri». (Mateu 24:21) Kjo nuk nënkupton shkatërrimin e Tokës si planet nga veprimtaritë e papërgjegjshme të njeriut apo nga katastrofat natyrore, sepse Perëndia ka si qëllim që toka të ekzistojë përgjithmonë. (Eklisiastiu 1:4) Ky shtrëngim do të vijë nga dora e Perëndisë ‘për të rrënuar ata që rrënojnë tokën’. Do t’u japë fund gjithë ligësisë dhe vuajtjeve. (Zbulesa 11:18; Proverbat 2:22) Çfarë mrekullie do të jetë!

Për më tepër, ndryshe nga tsunamet, tërmetet ose shpërthimet vullkanike, shkatërrimi që do të vijë, nuk do t’u marrë jetën njerëzve të pafajshëm. Bibla thotë se «Perëndia është dashuri», dhe Perëndia, që e ka emrin Jehova, premton se «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të». (1 Gjonit 4:8; Psalmi 37:29) Po si mund të mbijetosh gjatë shtrëngimit të madh dhe të shijosh bekimet e premtuara? Sekreti është: vëri veshin paralajmërimit!

JI VIGJILENT NDAJ NDRYSHIMEVE

Nuk mund ta përcaktojmë datën e saktë se kur do të vijë fundi i ligësisë dhe i vuajtjeve, pasi Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» E megjithatë, Jezui na inkurajon ‘të qëndrojmë vigjilentë’. (Mateu 24:36; 25:13) Vigjilent ndaj çfarë gjëje? Bibla përshkruan kushtet botërore që do të ekzistonin para se Perëndia të sjellë fundin. Ashtu si ndryshimi i menjëhershëm i nivelit të detit i sinjalizoi banorët e Simalurit për afrimin e tsunamit, ndryshimet drastike të ngjarjeve botërore do të na sinjalizonin për afrimin e fundit. Disa nga këto ndryshime drastike për të cilat flet Bibla renditen në kutinë e këtij artikulli.

Kuptohet, veç e veç, disa nga ngjarjet a kushtet e përmendura në kuti, kanë ndodhur deri në njëfarë mase edhe në të kaluarën. Por, Jezui tha se kur t’i shihnim «të gjitha këto gjëra», do ta kuptonim se fundi është afër. (Mateu 24:33) Mendo pak: «A kanë ndodhur ndonjëherë të gjitha këto gjëra (1) në shkallë globale, (2) në të njëjtën kohë dhe (3) në përmasa kaq të mëdha?» Është e qartë se e tillë është koha në të cilën po jetojmë.

SHENJË E DASHURISË SË PERËNDISË

Një ish-president amerikan tha: «Sistemet e paralajmërimit . . . shpëtojnë vërtet jetë.» Pas tsunamit të vitit 2004, në zonën e prekur u vendos një sistem paralajmërimi për të parandaluar vdekjet në katastrofat e ardhshme. Po njësoj, Zoti ka marrë masa që njerëzit të paralajmërohen para se të vijë fundi. Bibla paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

Vetëm vitin e shkuar Dëshmitarët e Jehovait kaluan mbi 1.9 miliardë orë në predikimin e lajmit të mirë në 240 vende dhe në më tepër se 700 gjuhë. Kjo ngjarje e ditëve tona është provë e fortë se fundi është afër. Nga dashuria për të tjerët, Dëshmitarët e Jehovait po i paralajmërojnë njerëzit pa u kursyer për ditën e gjykimit të Perëndisë që po afron me të shpejtë. (Mateu 22:39) Fakti që ti mund të nxjerrësh dobi nga këto informacione, tregon se Jehovai të do. Mos harro se «[Perëndia] nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjetrit 3:9) A do t’i përgjigjesh dashurisë së Perëndisë dhe t’ia vësh veshin paralajmërimit të tij?

VRAPO DREJT NJË VENDI TË SIGURT!

Banorët e fshatrave bregdetare të Simalurit ia mbathën drejt vendeve më të larta sapo panë detin të tërhiqej; nuk pritën derisa të kthehej. Veprimi i tyre i menjëhershëm u shpëtoi jetën. Për të mbijetuar në shtrëngimin e ardhshëm, si të thuash, duhet të vraposh drejt vendeve më të larta, para se të jetë tepër vonë. Si? Profeti Isaia u frymëzua nga Perëndia të shkruante një ftesë nxitëse që po bëhet edhe «në ditët e fundit», domethënë sot. Ajo është: «Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait. . . . Ai do të na mësojë udhët e tij, dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»​—Isaia 2:2, 3.

Nëse shkon në majë të malit, i sheh gjërat nga lart dhe ke një vend të sigurt. Po kështu, mësimi i udhëve të Perëndisë përmes faqeve të Biblës, po ndihmon miliona njerëz anembanë botës të bëjnë ndryshime për mirë. (2 Timoteut 3:16, 17) Në këtë mënyrë, fillojnë ‘të ecin në shtigjet e [Perëndisë]’ dhe gëzojnë miratimin e mbrojtjen e tij.

A do ta pranosh këtë ftesë dhe të përfitosh edhe ti nga mbrojtja e dashur e Perëndisë në këto ditë kritike? Të nxitim të shqyrtosh me kujdes dëshmitë biblike për «ditët e fundit» që renditen në kutinë e këtij artikulli. (2 Timoteut 3:1) Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi që t’i kuptosh më mirë shkrimet dhe t’i zbatosh. Ose mund të vizitosh sitin tonë www.mt711.com për të marrë përgjigje për pyetjet që ke. Shih te MËSIME BIBLIKE > PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE.

^ par. 3 Ky tsunam i vitit 2004, një nga tsunamet më shkatërrimtare në histori, u mori jetën mbi 220.000 vetave.