Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Trego besim​—Merri vendimet me mençuri!

Trego besim​—Merri vendimet me mençuri!

‘Vazhdo të kërkosh me besim, pa dyshuar aspak.’​—JAK. 1:6.

KËNGËT: 118, 35

1. Çfarë ndikoi tek aftësia e Kainit për të marrë një vendim të mençur, dhe cilat ishin pasojat?

KAINI kishte para tij një zgjedhje, një vendim: t’i mposhtte ndjenjat mëkatare ose të lejonte që veprimet e tij të udhëhiqeshin nga ndjenjat. Çfarëdo udhe të zgjidhte, ai vendim do të sillte pasoja që do të ndikonin në gjithë jetën e tij. E dimë se çfarë zgjodhi Kaini; nuk mori aspak një vendim të mençur. Vendimi i tij dhe veprimi që kreu si pasojë i kushtoi jetën vëllait të tij besnik, Abelit. Gjithashtu, vendimi që mori, ndikoi te marrëdhënia e Kainit me Krijuesin e tij.​—Zan. 4:3-16.

2. Sa e rëndësishme është aftësia që të marrim vendime të mençura?

2 Edhe ne duhet të bëjmë zgjedhje dhe të marrim vendime. Jo të gjitha vendimet janë çështje për jetë a vdekje. Gjithsesi, shumë nga vendimet ose zgjedhjet tona, mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm te ne. Kështu, aftësia që të marrim vendime të mençura mund të na ndihmojë të bëjmë një jetë relativisht të qetë dhe pa telashe, në vend se një jetë plot kaos, grindje dhe zhgënjime.​—Prov. 14:8.

3. (a) Ku duhet të kemi besim që të marrim vendime të mençura? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Ç’do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura? Sigurisht që duhet të kemi besim te Perëndia, pa dyshuar aspak se ai është i gatshëm e i aftë të na ndihmojë të jemi të mençur. Gjithashtu, duhet të kemi besim te Fjala e Jehovait dhe te mënyra si vepron ai, duke u zënë besë plotësisht këshillave të tij të frymëzuara. (Lexo Jakovin 1:5-8.) Ndërsa afrohemi me Perëndinë dhe na thellohet dashuria për Fjalën e tij, mësojmë t’i besojmë gjykimit të tij. Si rrjedhojë, na bëhet zakon të këshillohemi me Fjalën e Perëndisë para se të marrim vendime. Por, si ta përmirësojmë aftësinë për të marrë vendime? Dhe a nënkupton fakti që jemi të gatshëm të marrim vendime se s’duhet të luajmë nga një vendim, sido që të vijnë gjërat?

JETA KËRKON TË MARRIM VENDIME

4. Para cilës zgjedhje u gjend Adami, dhe cilat ishin pasojat e zgjedhjes që bëri?

4 Që nga fillimi i historisë njerëzore, burrave dhe grave u është dashur të marrin vendime të rëndësishme. Adami duhej të zgjidhte se kë do të dëgjonte: Krijuesin e tij apo Evën. Vërtet, ai ishte i gatshëm të merrte një vendim, por si të duket vendimi që mori? I ndikuar nga gruaja e tij, e cila ishte mashtruar, Adami bëri një zgjedhje jashtëzakonisht të dobët, një zgjedhje që i kushtoi shtrenjtë se humbi Parajsën, e në fund edhe jetën e vet. Dhe ky ishte vetëm fillimi i gjithë çmimit që do të paguhej. Ne po i vuajmë akoma pasojat e vendimit të tmerrshëm të Adamit.

5. Si duhet ta shohim faktin që na duhet të marrim vendime?

5 Disa mund të mendojnë se jeta do të ishte më e bukur nëse s’do të na duhej të merrnim vendime. Po ti, a mendon kështu? Mos harro, Jehovai nuk i krijoi njerëzit si robotë, të paaftë që të mendojnë dhe të zgjedhin vetë. Në të vërtetë, Bibla na mëson si të marrim vendime të mençura. Fakti që Jehovai dëshiron të marrim vendime, s’është në dëmin tonë. Të mendojmë për disa shembuj që e vërtetojnë këtë.

6, 7. Para cilës zgjedhje u gjendën izraelitët e lashtë, dhe pse e kishin të vështirë të merrnin një vendim të mençur? (Shih figurën hapëse.)

6 Pasi u vendosën në Tokën e Premtuar, izraelitët e lashtë duhej të bënin një zgjedhje tepër të rëndësishme e jetësore: të adhuronin Jehovain apo t’i shërbenin ndonjë perëndie tjetër (a disa perëndive). (Lexo Josiun 24:15.) Ndoshta ky dukej si një vendim i thjeshtë. Por, nga zgjedhja që do të bënin mund të përcaktohej jeta ose vdekja e tyre. Gjatë kohës së gjykatësve, izraelitët shpesh bënë zgjedhje aspak të mençura. U larguan nga Jehovai dhe adhuruan perëndi të rreme. (Gjyk. 2:3, 11-23) Ose mendo pak për një ngjarje që ndodhi më vonë në historinë e popullit të Perëndisë, kur izraelitët u detyruan të merrnin një vendim. Profeti Elija i përmblodhi fare qartë zgjedhjet që kishin para: ose t’i shërbenin Jehovait, ose t’i shërbenin perëndisë së rreme Baal. (1 Mbret. 18:21) Elija e qortoi popullin ngaqë u tregua i pavendosur. Ndoshta mendon se ajo ishte një zgjedhje e thjeshtë, sepse është gjithmonë e mençur dhe e dobishme t’i shërbesh Jehovait. Në fakt, asnjë njeri me logjikë s’do të ndihej i tërhequr pas Baalit e as do t’i përkushtohej atij. Mirëpo, ata izraelitë po ‘lëkundeshin mes dy mendimeve’. Me mençuri, Elija i nxiti të zgjidhnin adhurimin që qëndronte më lart nga të gjithë​—adhurimin e Jehovait.

7 Pse mund ta kenë pasur aq të vështirë izraelitët të merrnin një vendim të mençur? Së pari, ata në thelb kishin humbur besimin te Jehovai dhe nuk pranonin të dëgjonin zërin e tij. Nuk kishin ndërtuar një themel me njohuri të saktë dhe me mençuri hyjnore, e as nuk u mbështetën te Jehovai. Po të kishin vepruar në përputhje me njohurinë e saktë, kjo do t’i kishte ndihmuar të merrnin vendime të mençura. (Psal. 25:12) Veç kësaj, kishin lejuar që të tjerët të ndikonin tek ata, a madje të merrnin vendime në vend të tyre. Banorët e vendit që nuk ishin adhurues të Jehovait ndikuan te mënyra si mendonin izraelitët, duke i shtyrë të shkonin pas shumicës pagane. Jehovai i kishte paralajmëruar prej kohësh se mund të ndodhte kjo.​—Dal. 23:2.

A DUHET TË MARRIN TË TJERËT VENDIME PËR NE?

8. Çfarë mësimi nxjerrim nga historia e Izraelit për marrjen e vendimeve?

8 Shembujt e përmendur më sipër na përcjellin një mësim të qartë. Secili nga ne e ka në dorë vetë të marrë vendime, dhe zgjedhjet e mençura e të drejta bazohen te njohuria e besueshme biblike. Galatasve 6:5 na kujton që «secili do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë. Nuk duhet t’ia lëmë dikujt tjetër përgjegjësinë që të marrë vendime për ne. Në vend të kësaj, duhet të mësojmë personalisht se çfarë është e drejtë në sytë e Perëndisë dhe të zgjedhim të veprojmë sipas kësaj.

9. Pse mund të jetë e rrezikshme të lejojmë që të vendosin të tjerët për ne?

9 Si mund të ndodhë që të dorëzohemi para rrezikut që t’i lejojmë të tjerët të zgjedhin për ne? Presioni i shoqërisë mund të na shtyjë të marrim një vendim gabuar. (Prov. 1:10, 15) Gjithsesi, çfarëdo presioni të na bëjnë të tjerët, është përgjegjësia jonë të ndjekim ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Në shumë aspekte, nëse i lejojmë të tjerët të marrin vendime që na takojnë ne, në thelb po vendosim ‘të shkojmë udhës me ta’. Edhe kjo një zgjedhje është, ama një zgjedhje që mund të jetë shkatërrimtare.

10. Për çfarë u desh t’i paralajmëronte Pavli galatasit?

10 Apostulli Pavël i paralajmëroi shkoqur galatasit për rrezikun që t’i lejonin të tjerët të merrnin vendime në vend të tyre. (Lexo Galatasve 4:17.) Disa në kongregacion donin të merrnin vendime personale për të tjerët me qëllim që t’i largonin nga apostujt. Përse? Ata egoistë kishin ambicien të fitonin lavdi. I shkelën kufijtë e duhur dhe nuk e respektuan përgjegjësinë e bashkëbesimtarëve që t’i merrnin vendimet vetë.

11. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët teksa marrin vendime personale?

11 Pavli la një shembull të shkëlqyer duke respektuar të drejtën e vëllezërve që të përdornin vullnetin e lirë për të marrë vendime. (Lexo 2 Korintasve 1:24.) Sot, kur japin këshilla për çështje që përfshijnë zgjedhje personale, pleqtë duhet të ndjekin këtë model. Me kënaqësi u tregojnë informacione të bazuara në Bibël pjesëtarëve të kopesë. Megjithatë, pleqtë bëjnë kujdes t’i japin mundësi çdo vëllai e motre që t’i marrë vendimet vetë. Kjo është logjike, sepse secili nga ata do të mbajë përgjegjësi për rezultatet që do të vijnë. Ja një mësim i rëndësishëm: mund të interesohemi për t’i ndihmuar të tjerët dhe mund t’ua drejtojmë vëmendjen te parimet ose këshillat e Biblës. Ama, të tjerët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë t’i marrin vendimet vetë. E kur i marrin vendimet me mençuri, nxjerrin dobi. Pa diskutim, duhet të shmangim çdo prirje për të menduar se jemi të autorizuar të marrim vendime për vëllezërit dhe motrat.

Pleqtë e dashur i ndihmojnë të tjerët që të mësojnë t’i marrin vendimet vetë (Shih paragrafin 11.)

A DUHEN MARRË VENDIMET NËN PUSHTETIN E NDJENJAVE?

12, 13. Pse është e rrezikshme të bëjmë thjesht ç’na thotë zemra kur jemi të nevrikosur ose të shkurajuar?

12 Një filozofi ose thënie e njohur është: bëj ç’të thotë zemra. Por kjo mund të jetë e rrezikshme. E, në një farë kuptimi, është kundër Shkrimeve. Bibla na paralajmëron të mos lejojmë që, kur marrim vendime, ta ketë pushtetin zemra e papërsosur ose thjesht ndjenjat. (Prov. 28:26) Gjithashtu, tregimet biblike nxjerrin në pah pasojat e trishtueshme që vijnë kur bëjmë ç’na thotë zemra. Rrënja e problemit është se te njerëzit e papërsosur, «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme». (Jer. 3:17; 13:10; 17:9; 1 Mbret. 11:9) Pra, ç’rezultat mund të kemi nëse bëjmë thjesht ç’na thotë zemra?

13 Zemra e një shërbëtori të Perëndisë ka rëndësi, sepse kemi urdhrin ta duam Jehovain me gjithë zemrën tonë dhe ta duam të afërmin si veten. (Mat. 22:37-39) Por fragmentet biblike të përmendura në paragrafin e mësipërm theksojnë sa e rrezikshme është të lejojmë që ndjenjat të diktojnë mënyrën si mendojmë e veprojmë. Për shembull, ç’mund të ndodhë nëse marrim vendime kur jemi të nevrikosur? Nëse e kemi bërë ndonjëherë këtë në të kaluarën, mund ta dimë fare mirë përgjigjen. (Prov. 14:17; 29:22) Ose, a ka gjasa të marrim vendime të mençura kur jemi të shkurajuar? (Num. 32:6-12; Prov. 24:10) Të mbajmë në mend se Fjala e Perëndisë tregon sa e mençur është të jemi ‘skllevër të ligjit të Perëndisë’. (Rom. 7:25) Pa dyshim që mund të mashtrohemi lehtë nga ndjenjat nëse lejojmë të mbizotërojnë ato kur marrim vendime të rëndësishme.

KUR ËSHTË ME VEND TË NDËRROJMË MENDJE

14. Nga e dimë se mund të jetë me vend ta ndryshojmë një vendim?

14 Ne duhet të marrim vendime të mençura. Por kjo s’do të thotë të mos pranojmë kurrsesi ta ndryshojmë një vendim që kemi marrë. Ka raste kur është mirë ta rishqyrtojmë një vendim e ndoshta ta ndryshojmë. Të mendojmë për shembullin e Jehovait në rastin e ninevitëve në ditët e Jonait. «Perëndia i vërtetë i pa veprat e tyre, se si hoqën dorë nga rruga e keqe. Prandaj Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte, dhe nuk e bëri.» (Jon. 3:10) Pasi vërejti se ninevitët ndryshuan qëndrim dhe u penduan, Jehovai e përshtati vendimin e tij me këtë. Duke vepruar kështu, u tregua i arsyeshëm, i përulur dhe i dhembshur. Veç kësaj, mënyra si vepron Perëndia nuk përcaktohet nga zemërimi që mund t’i ndizet një çast, pra nga një shpërthim emocional që vërehet te shumë njerëz.

15. Për ç’arsye mund ta ndryshojmë një vendim?

15 Mund të ketë raste kur bëjmë mirë ta rishqyrtojmë një zgjedhje ose vendim. Një rast mund të jetë kur ndryshon situata në tërësi. Hera-herës, kur ndryshonin rrethanat, Jehovai e ndryshonte vendimin e tij. (1 Mbret. 21:20, 21, 27-29; 2 Mbret. 20:1-5) Ose ndoshta dalin në dritë informacione të reja që mund të na japin arsye të vlefshme për ta ndryshuar një vendim. Mbretit David i dhanë një informacion jo të saktë për Mefiboshetin, nipin e Saulit. Më vonë, kur mori informacione të sakta, Davidi e ndreqi atë vendim. (2 Sam. 16:3, 4; 19:24-29) Ndonjëherë mund të jetë e mençur të veprojmë po njësoj.

16. (a) Cilat janë disa parime udhërrëfyese që ndihmojnë të marrim vendime të mençura? (b) Pse duhet t’i shqyrtojmë disa vendime që kemi marrë, dhe si duhet të veprojmë pas kësaj?

16 Fjala e Perëndisë na këshillon të mos ngutemi kur duhet të marrim një vendim të rëndësishëm. (Prov. 21:5) Kur lëmë kohë që t’i peshojmë me kujdes të gjitha aspektet ose faktet e lidhura me një vendim, ka shumë mundësi të kemi më tepër sukses. (1 Sel. 5:21) Para se të përcaktojë si do të veprojë, një kryefamiljar duhet të lërë kohë të bëjë kërkime në Shkrime e në botimet e krishtere, si edhe të marrë në konsideratë opinionet ose pikëpamjet e pjesëtarëve të familjes. Të kujtojmë se Perëndia e nxiti Abrahamin t’ia vinte veshin asaj që po i thoshte e shoqja. (Zan. 21:9-12) Edhe pleqtë duhet të lënë kohë të bëjnë kërkime. E nëse janë të arsyeshëm dhe modestë, nuk do të kenë frikë se mos humbin respektin e të tjerëve po t’u vijnë në dorë informacione të reja lidhur me një çështje që tregojnë se është e nevojshme ta rishqyrtojnë diçka që tashmë e kishin vendosur. Ata duhet të jenë të gatshëm t’i përshtatin mënyrën si mendojnë dhe vendimet e tyre kur është me vend, dhe të gjithë ne bëjmë mirë të ndjekim këtë shembull. Kjo nxit paqen dhe rregullin në kongregacion.​—Vep. 6:1-4.

VEPRO NË HARMONI ME VENDIMET

17. Si mund të kemi më shumë sukses kur marrim vendime?

17 Disa vendime kanë më shumë peshë se të tjerat. Vendimet më me peshë duhen bluar më shumë në mend dhe duhen shqyrtuar më gjatë në lutje, e kjo mund të kërkojë kohë. Disa të krishterë gjenden para vendimeve nëse do të martohen dhe me kë. Një vendim tjetër me peshë që mund t’u hapë derën shumë bekimeve është si dhe kur të nisësh shërbimin e plotkohor. Në aspekte të tilla, është e rëndësishme të kemi besim të plotë se Jehovai mund të sigurojë drejtim të mençur dhe e siguron. (Prov. 1:5) Prandaj, është jetësore të nxjerrim dobi nga Bibla si burimi më i shkëlqyer i këshillave e të kërkojmë drejtimin e Jehovait në lutje. E mos harro se Jehovai mund të na japë cilësitë e nevojshme për të marrë vendime në harmoni me vullnetin e tij. Kur je para vendimeve të rëndësishme, bëje zakon të pyesësh: «A do të tregojë ky vendim se e dua Jehovain? A do t’i sjellë gëzim dhe paqe familjes sime? Dhe a do të tregojë se jam i duruar e mirëdashës?»

18. Pse Jehovai pret që t’i marrim vendimet vetë?

18 Jehovai s’na detyron që ta duam dhe t’i shërbejmë. Kjo është zgjedhja jonë. Në përputhje me vullnetin e lirë që na ka dhënë, ai respekton përgjegjësinë dhe të drejtën tonë që ‘të zgjedhim’ vetë nëse do t’i shërbejmë. (Jos. 24:15; Ekl. 5:4) Ama, ai pret të veprojmë në harmoni me këtë vendim e me vendime të tjera që marrim duke u bazuar në drejtimin e tij. Duke pasur besim te mënyra si vepron Jehovai dhe te parimet që na jep me dashamirësi, mund të marrim vendime të mençura e të tregojmë se jemi të qëndrueshëm në të gjitha udhët tona.​—Jak. 1:5-8; 4:8.