Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të shohësh përtej pamjes së jashtme?

A mund të shohësh përtej pamjes së jashtme?

DONI, një Dëshmitar i Jehovait në Kanada, bën çmos të flasë me njerëzit që jetojnë në rrugë. Ai tregon për njërin prej tyre: «Një burrë i pastrehë me emrin Piter ishte një nga njerëzit më të pistë që kisha parë nëpër rrugicat e pallateve. Ishte harbut dhe kishte zotësinë t’i mbante larg të tjerët. Refuzonte vazhdimisht shumë vepra mirëdashëse.» Megjithatë, për më shumë se 14 vjet, Doni u përpoq herë pas here të tregohej mirëdashës ndaj këtij burri.

Një ditë, Piteri e pyeti Donin: «Pse lodhesh me mua? Të gjithë të tjerët thjesht më lënë në punën time. Po ty pse të intereson?» Duke u përpjekur t’i prekte zemrën, me takt Doni përdori tri shkrime. Në fillim e pyeti Piterin nëse e dinte se Perëndia ka një emër dhe i kërkoi ta lexonte direkt nga Bibla te Psalmi 83:18. Më pas, për t’i treguar pse i interesonte, Doni i kërkoi Piterit të lexonte Romakëve 10:13, 14, ku thuhet se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë». Në fund, Doni lexoi Mateun 9:36 dhe pas kësaj i kërkoi Piterit ta lexonte vetë shkrimin. Ai varg thotë: «Kur pa turmën, [Jezui] ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari.» Në atë moment, me lot në sy, Piteri pyeti: «A jam unë një prej këtyre deleve?»

Piteri filloi të ndryshonte. U la, filloi ta mbante mjekrën të rregullt dhe veshi rrobat më të mira që i kishte dhënë Doni. Piteri vazhdoi të rrinte i pastër.

Piteri mbante ditar. Fletët e para të tij ishin të errëta e të zymta, por shënimet e fundit ishin ndryshe. Në një nga ditët thuhej: «Sot mësova emrin e Zotit. Tani kur lutem, mund t’i lutem Jehovait. Është e mrekullueshme të dish emrin e tij. Doni thotë se Jehovai mund të jetë Miku im, dikush që gjithmonë ka kohë të më dëgjojë, pavarësisht se kur a për çfarë i lutem.»

Fjalët e fundit Piteri ia drejtonte vëllait e motrës së tij. Ai shkruante:

«Sot nuk ndihem mirë. Me sa duket mosha po bën të vetën. Por, edhe nëse kjo është dita ime e fundit, e di që do ta shoh përsëri mikun tim [Donin] në Parajsë. Nëse po lexoni këto fjalë, do të thotë se nuk jam më. Por, nëse në funeralin tim shihni një burrë që ju duket i panjohur, flitni me të dhe, ju lutem, lexoni këtë libër të vogël blu. [E kishte fjalën për botimin për studimin e Biblës që kishte marrë vite më parë, «E vërteta që të çon në jetën e përjetshme».] * Aty thuhet se do ta shoh përsëri mikun tim në Parajsë. E besoj këtë me gjithë zemër. Vëllai juaj, Piteri.»

Pas funeralit, Umi, motra e Piterit shpjegoi: «Rreth dy vite më parë, Piteri komunikoi me mua. Për herë të parë pas shumë vitesh dukej i lumtur, e madje buzëqeshte.» Ajo i tha Donit: «Do ta lexoj këtë libër, sepse çfarëdo që mund të ketë prekur vëllanë tim duhet të jetë diçka e veçantë.» Gjithashtu, Umi pranoi të bënte biseda me një Dëshmitare të Jehovait rreth librit që doli më vonë Çfarë mëson vërtet Bibla?

Edhe ne mund të shohim përtej pamjes së jashtme, të shprehim dashuri nga zemra dhe të tregohemi të duruar me njerëz të çdo lloji. (1 Tim. 2:3, 4) Ndërsa veprojmë kështu, mund të arrijmë të prekim ata njerëz që, ashtu si Piteri, mund të mos jenë tërheqës për syrin njerëzor, ama kanë zemër të mirë. Mund të jemi të sigurt se Perëndia që «sheh zemrën» do ta bëjë të vërtetën të rritet në zemrat e atyre që janë të prirur drejt së vërtetës.​—1 Sam. 16:7; Gjoni 6:44.

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.