Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si dërgoheshin letrat në kohët biblike?

Një korrier poste persian

Letrat zyrtare të qeverisë perse i besoheshin një shërbimi postar shtetëror. Libri biblik i Esterës përshkruan si funksiononte sistemi postar në Persi: «[Mordekai] bëri dokumente të shkruara dhe i vulosi me unazën me nënshkrim të mbretit. Pastaj i nisi ato nëpërmjet korrierëve që kalëronin kuaj poste të përdorur për shërbim në oborrin mbretëror, pjella të pelave të shpejta. Në to ai shkroi në emër të mbretit Asuer.» (Estera 8:10) Edhe Perandoria Romake kishte një shërbim të ngjashëm për dërgimin e mesazheve administrative dhe ushtarake.

Letrat personale, si letrat që shkroi apostulli Pavël ose të tjerë, nuk përfshiheshin në këtë lloj dërgimi. Një i pasur mund t’i dërgonte letrat me anë të një skllavi. Por shumica i dërgonin letrat nëpërmjet të njohurve, madje edhe nëpërmjet të panjohurve që udhëtonin në drejtimin e duhur. Postierë të mundshëm ishin familjarët, miqtë, ushtarët a tregtarët. Pa dyshim, një merak i madh ishte besueshmëria e dërguesit dhe përcjellja e mesazhit me kujdes e pa u cenuar. Nga Bibla kuptojmë se, të paktën disa nga letrat e tij, Pavli ua besoi të bashkëkrishterëve që udhëtonin.​—Efesianëve 6:21, 22; Kolosianëve 4:7.

Si bëhej shitblerja në Izraelin e lashtë?

Reliev i një pazari frutash

Ekonomia e kombit bazohej kryesisht te bujqësia, te blegtoria dhe te shkëmbimi i mallrave. Bibla përmend pazare në porta qyteti, si: ‘Porta e Deleve’, ‘Porta e Peshqve’ dhe ‘Porta e Copave të Poçeve’. (Nehemia 3:1, 3; Jeremia 19:2) Me sa duket, këta emra u referoheshin mallrave që shiteshin në vendet përkatëse. Gjithashtu, Shkrimet përmendin ‘rrugën e bukëpjekësve’ në Jerusalem, si edhe disa mallra që tregtoheshin.​—Jeremia 37:21.

Ç’të themi për çmimet? Një vepër komentuese biblike thotë: «Natyrisht, gjatë shekujve çmimet pësuan luhatje, prandaj vështirë të thuhet me saktësi sa mund të ketë kushtuar një mall i caktuar në një kohë e vend të caktuar.» Megjithatë, të dhëna nga burime të lashta, përfshirë Biblën, tregojnë se edhe në atë kohë, kishte prirje drejt inflacionit ose rritjes së çmimeve. Për shembull, tregtia e skllevërve ishte e zakonshme në antikitet. Jozefin e shitën për 20 monedha argjendi, të cilat mund të kenë qenë sikla, ndoshta çmimi mesatar i një skllavi gjatë shekullit të 18-të p.e.s. (Zanafilla 37:28) Treqind vjet më vonë, çmimi u bë 30 sikla. (Dalja 21:32) Në shekullin e tetë p.e.s., çmimi ishte 50 sikla. (2 Mbretërve 15:20) Dy shekuj më vonë, gjatë periudhës persiane, çmimi shkoi deri në 90 sikla a më tepër. Është e qartë se çmimet gjithnjë e në rritje nuk janë plagë vetëm e kohës sonë.