Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Premtimi për një tokë parajsore më ndryshoi jetën

Premtimi për një tokë parajsore më ndryshoi jetën
  • LINDUR: 1974

  • VENDI I LINDJES: LETONI

  • MË PARË: BËNTE GARA TË RREZIKSHME ME MOTOR

E KALUARA IME:

Linda në Rigë, kryeqyteti i Letonisë. Mua dhe motrën na rriti mamaja. Ndonëse ajo ishte katolike, shkonim në kishë vetëm në raste festash fetare. Gjithmonë kam besuar në një fuqi të mbinatyrshme, por si i ri isha i përqendruar në gjëra të tjera.

Teksa rritesha, mamaja vuri re që kisha prirje t’i çmontoja gjërat dhe t’i montoja përsëri. Ngaqë në shtëpi kishte plot gjëra të çmontueshme, ajo kishte merak të më linte vetëm. Prandaj më dha një lodër metalike që çmontohej e montohej, dhe vdisja të luaja me të. Ky interes gërshetohej me një tjetër pasion timin: garat me motor. Mamaja më regjistroi në një garë me motor të quajtur Zelta Mopēds (Çiklomotori i Artë). Fillova të merrja pjesë në gara me çiklomotorë dhe më pas me motorë.

I kapja shpejt gjërat, ndaj s’kaloi shumë dhe u bëra goxha i suksesshëm në këtë sport të shpejtë e të rrezikshëm. Fitova tri herë kampionatin e Letonisë në disa klasa të garave me motorë dhe dy herë Kampionatin e Shteteve Baltike.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Kur isha në kulmin e karrierës, e dashura, Evija (që më pas u bë gruaja ime), takoi Dëshmitarët e Jehovait. I kishin rënë në dorë ca nga botimet e tyre ku gjeti kuponin e kërkesës për studim biblik. E plotësoi dhe e postoi. Pak kohë më pas, dy Dëshmitare e takuan dhe filloi studim biblik. Kjo s’më bezdiste, por në atë kohë mua vetë nuk më interesonte shumë feja.

Më vonë, Dëshmitaret më ftuan të qëndroja gjatë studimit të Evijës e të dëgjoja. Pranova dhe më pëlqeu ajo që dëgjova. Më preku thellë premtimi i Biblës për një tokë parajsore. Për shembull, më treguan Psalmin 37:10, 11 që thotë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Ky premtim më bëri për vete.

Dëshira për të mësuar rreth Biblës vazhdoi të rritej. Fillova të kuptoja sa shumë gënjeshtra fetare ekzistojnë. Kurse mësimet biblike më bënë mjaft përshtypje pasi ishin logjike, të qarta e njëkohësisht përtëritëse.

Teksa studioja Biblën, mësova sa e vlerëson Jehovai jetën dhe sa e çmuar është për të. (Psalmi 36:9) Kjo ndikoi thellë tek unë: nuk doja ta rrezikoja më jetën nëpër gara. Përkundrazi, doja ta përdorja për t’i dhënë lavdi Jehovait. Prandaj, fama, lavdia dhe emocionet e forta të garave me motor nuk kishin më rëndësi për mua.

Kuptova se jam përgjegjës para Dhënësit të jetës

Më 1996 ndoqa një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Talin, Estoni, jo shumë larg stadiumit ku më parë garoja shpesh. Në kongres pashë njerëz nga vende të ndryshme që takoheshin në paqe e harmoni. Për shembull, kur një Dëshmitare humbi çantën, mendova se nuk do ta gjente më. Por shumë shpejt një Dëshmitare tjetër e gjeti dhe ia ktheu me çdo gjë brenda. Ngela gojëhapur! Aty e kuptova që Dëshmitarët jetojnë vërtet sipas normave të larta të Biblës. Unë dhe Evija përparuam me studimin dhe më 1997 u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.

DOBITË:

Disa nga shokët e mi kanë vdekur për shkak të jetës së shfrenuar e të rrezikshme si motoçiklistë. Nga studimi i Biblës kuptova se jam përgjegjës para Dhënësit të jetës, Jehovait. Ka shumë mundësi që kjo më ka shpëtuar jetën.

Për katër vjet, unë dhe Evija patëm privilegjin të shërbenim në kohë të plotë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Rigë. Tani jemi të lumtur që po rritim vajzën tonë, Alisën, dhe po e ndihmojmë ta dojë Jehovain. Kam edhe privilegjin të punoj një ditë në javë në zyrën e përkthimit, ku riparoj makina e gjëra të tjera që janë prishur. Jam vërtet i kënaqur që po i përdor siç duhet aftësitë që fitova në fëmijëri. Edhe sot e kësaj dite merrem me çmontime dhe montime.

Bashkë me familjen u flasim njerëzve për të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe e gjithë kjo falë asaj që mësova nga Bibla. Ky është një privilegj që e vlerësoj jashtë mase. Vërtet, premtimi për një tokë parajsore më ndryshoi jetën!