Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 3

Si të mos dorëzohet

Si të mos dorëzohet

ÇFARË DO TË THOTË

Kush nuk dorëzohet kollaj, e merr veten shpejt pas dështimeve dhe zhgënjimeve. Kjo është një aftësi që fitohet me kohë. Një fëmijë nuk mëson dot të ecë pa u rrëzuar; po njësoj nuk mund të mësojë të ketë sukses në jetë «pa u rrëzuar» ndonjëherë.

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME

Disa fëmijë shkurajohen kur përballen me dështime, vështirësi ose kritika. Kurse të tjerë dorëzohen fare. Megjithatë është e rëndësishme të kuptojnë se:

Nëse e mëson fëmijën të mos heqë dorë shpejt, do të jetë më i përgatitur për sfidat e jetës.

SI T’I MËSOSH TË MOS DORËZOHET

Kur dështon

PARIM NGA BIBLA: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.»​—Proverbat 24:16.

Ndihmoje fëmijën të përcaktojë nëse një problem është serioz ose jo. Për shembull, çfarë do të bënte po të ngelte në një provim? Mbase i vjen të dorëzohet e të thotë: «Jam kot fare.»

Që t’i mësosh fëmijës të mos dorëzohet, nxite të mendojë se çfarë të përmirësojë herën tjetër. Kështu do ta marrë ai situatën në dorë në vend që situata atë.

Gjithashtu, në vend që t’i servirësh zgjidhjen e problemit, ndihmoje të gjejë vetë një zgjidhje. Mund ta pyesësh: «Çfarë mund të bësh që ta kuptosh më mirë këtë lëndë?»

Kur lindin vështirësi

PARIM NGA BIBLA: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.»​—Jakovi 4:14.

Jeta është plot të papritura. Sot je i pasur, nesër i varfër. Sot zgjohesh mirë e bukur, nesër sëmurë. Bibla thotë: «Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët dhe as betejën të fuqishmit . . . sepse të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»​—Eklisiastiu 9:11.

Si prind, me të drejtë bën gjithë sa ke në dorë që ta mbrosh fëmijën nga rreziqet. Por, e vërteta është se nuk e mbron dot nga çdo vështirësi.

Nëse e ndihmon që tani të përballojë sfida, si prishjen e një miqësie ose vdekjen e një familjari, * kur të rritet, do të dijë si të përballojë vështirësi të tjera, si humbjen e punës apo ndonjë krizë ekonomike.

Kur e ndreqin

PARIM NGA BIBLA: «Dëgjo këshillën . . . që të bëhesh i mençur në të ardhmen.»​—Proverbat 19:20.

Kur të tjerët e ndreqin fëmijën, kjo s’do të thotë se duan ta frikësojnë ose ta lëndojnë. Përkundrazi po e ndihmojnë të përmirësojë ndonjë veprim a sjellje.

Po ta mësosh të pranojë këshillën, të dy do t’i kurseni vetes shumë dhembje. Një baba me emrin Xhon, thotë: «Fëmijët s’do të mësojnë kurrë, nëse i nxjerr nga situata sa herë gabojnë. Do të hapin telash pas telashi, ndërsa ti do ta kalosh jetën duke shuar zjarret që ndezin ata. Si rezultat do të vuajnë të dyja palët.»

Si mund ta ndihmosh fëmijën të nxjerrë dobi nga ndreqja? Për shembull, kur e korrigjojnë, në shkollë apo në ambiente të tjera, mos dil direkt në përfundimin se këshilla ishte e padrejtë. Më mirë pyete:

  • «Pse mendon se të folën?»

  • «Si mund të përmirësosh?»

  • «Çfarë do të bësh nëse përsëritet e njëjta situatë?»

Mos harro se këshillat do t’i vlejnë jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen.

^ par. 21 Shih artikullin «Ndihmoje fëmijën të përballojë hidhërimin» te Kulla e Rojës e 1 korrikut 2008.