Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Cikli i jetës së gjinkallës periodike

Cikli i jetës së gjinkallës periodike

GJINKALLAT, insekte që u ngjajnë karkalecave, i gjen në çdo kontinent, përveç Antarktidës. Në Amerikën Verilindore, tipike janë gjinkallat periodike, që i kanë mahnitur prej kohësh biologët.

Shqyrto faktet: Miliona gjinkalla të këtij lloji shfaqen papritur në pranverë vetëm për disa javë. Gjatë kësaj kohe të shkurtër në dritën e diellit, zhveshin lëkurën e larvës, këndojnë sa të shurdhojnë, fluturojnë, riprodhohen e pastaj ngordhin. Është e çuditshme që brezi pasues shfaqet pas 13 a 17 vjetësh, në varësi të llojeve. Po ndërkohë çfarë ndodh me këto insekte?

Për të marrë përgjigje, duhet kuptuar cikli unik i jetës së gjinkallës periodike. Rreth një javë pasi shfaqen, gjinkallat e rritura çiftohen dhe femrat shtrojnë 400-600 vezë në brendësi të degëve të pemëve. Shpejt pas kësaj, gjinkallat e rritura ngordhin. Brenda pak javësh, vezët çelin dhe larvat e vogla bien nga pema, hapin një tunel nën dhé e fillojnë jetën nën tokë. Aty ushqehen për disa vjet duke thithur lëngun e shkurreve ose të pemëve. Pas 13 ose 17 vjetësh del nga toka brezi tjetër për të përsëritur ciklin.

Sipas një artikulli në revistën Nature, cikli kompleks i jetës së kësaj gjinkalle «i ka pështjelluar shkencëtarët për shekuj me radhë. . . . Edhe në ditët e sotme, entomologët po përpiqen të kuptojnë se si kanë evoluar ciklet e veçanta të jetës së insekteve». Është një mister i pashoq në mbretërinë e gjallesave.

Si mendon? A erdhi me evolucion cikli i jetës së gjinkallës periodike? Apo është projektuar?