Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për viktimat e dhunës në familje

Ndihmë për viktimat e dhunës në familje

 «Dhuna ndaj grave është një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme»,—thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas kësaj organizate, rreth 30 për qind «e të gjitha grave që kanë qenë në një lidhje, janë dhunuar fizikisht dhe/​ose seksualisht» nga partneri. E sipas një raporti të OKB-së, në një nga vitet e fundit, në të gjithë botën vdiqën 137 gra çdo ditë si pasojë e dhunës së partnerit ose të një pjesëtari të familjes. a

 Statistikat na japin njëfarë ideje të dimensioneve të problemit të dhunës në familje, por kurrsesi nuk mund të përshkruajnë dhembjen emocionale dhe fizike që përjeton viktima.

 A je viktimë e dhunës në familje? A njeh dikë që dhunohet? Nëse po, këto ide nga Bibla mund të të ndihmojnë.

  Nuk është faji yt

  Kërko ndihmë

  Nuk je vetëm

  Dhuna në familje do të marrë fund

  Si mund ta ndihmosh një viktimë?

 Nuk është faji yt

 Çfarë thotë Bibla: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»—Romakëve 14:12.

 Mos harro: Abuzuesi yt është fajtor për veprimet e tij.

 Nëse partneri ta hedh ty fajin për sjelljen e tij të dhunshme, e ka totalisht gabim. Gratë meritojnë dashuri, jo dhunë.—Kolosianëve 3:19.

 Ndonjëherë, veprimet e një abuzuesi burojnë nga një problem personaliteti, nga formimi familjar ose abuzimi me alkoolin. Sido që të jetë, ai është përgjegjës para Perëndisë për mënyrën si të trajton, dhe duhet të hedhë hapat e nevojshëm që të ndryshojë.

 Kërko ndihmë

 Çfarë thotë Bibla: «Planet prishen kur nuk konsultohesh, por plotësohen me shumë këshilltarë.»—Proverbat 15:22.

 Mos harro: Nëse nuk ndihesh e sigurt ose nuk di çfarë të bësh, kërko ndihmë.

 Pse mund të kesh nevojë për ndihmë? Dhuna në familje është një problem kompleks. Duhen peshuar shumë faktorë, e ndonjëherë është e vështirë të kuptosh cili ka përparësi:

  •   Siguria personale

  •   Mirëqenia e fëmijëve

  •   Gjendja financiare

  •   Dashuria për partnerin

  •   Dëshira për ta shpëtuar lidhjen, nëse partneri ndryshon

 Është normale të ndihesh konfuze e të mos dish çfarë të bësh. Kujt mund t’i kërkosh ndihmë?

 Një mik ose një pjesëtar i familjes tek i cili ke besim, mund të të japë ndihmë praktike dhe emocionale. Hapu me dikë që të do. Kjo mund të të ndihmojë shumë.

 Linjat telefonike për dhunën në familje mund të të japin ndihmë të menjëhershme. Operatorët e këtyre linjave mund të të tregojnë çfarë të bësh që të mbrosh veten. Nëse partneri e pranon se ka një problem dhe do vërtet të ndryshojë, këto linja telefonike mund ta ndihmojnë në hapat e parë të ndryshimit.

 Organizma të tjerë për situata emergjente mund të të ndihmojnë nëse je në rrezik. Këtu përfshihen mjekë, infermierë ose personel i specializuar.

 Nuk je vetëm

 Çfarë thotë Bibla: «Jehovai b u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që e kanë shpirtin të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.

 Mos harro: Perëndia premton se do të të ndihmojë.

 Jehovai ka shumë merak për ty. (1 Pjetrit 5:7) Ai e di çfarë ke në mendje e në zemër. Ai mund të të ngushëllojë me anë të Fjalës së tij, Biblës, dhe të fton t’i lutesh. Kur lutesh, mund t’i kërkosh mençurinë dhe forcën e nevojshme për të përballuar situatën.—Isaia 41:10.

 Dhuna në familje do të marrë fund

 Çfarë thotë Bibla: «Secili do të ulet nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—Mikea 4:4.

 Mos harro: Bibla premton se së shpejti shtëpia ose familja e kujtdo do të jetë një liman paqeje.

 Vetëm Perëndia Jehova mund t’i zgjidhë plotësisht e një herë e mirë të gjitha problemet tona. Bibla premton: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.» (Zbulesa 21:4) Në atë kohë, edhe kujtimet e këqija do të na zbehen ndërsa krijojmë kujtime më të mira. (Isaia 65:17) Kjo është e ardhmja paqësore që të ofron Bibla.

a Ky artikull i referohet viktimës femër, por shumë nga pikat e diskutuara vlejnë edhe për viktimat meshkuj.

b Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.