Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të të ndihmojë Bibla kur përballesh me motin ekstrem?

A mund të të ndihmojë Bibla kur përballesh me motin ekstrem?

 A je ndër miliona njerëzit që kanë vuajtur pasojat e motit ekstrem? Moti i rrezikshëm dhe pasojat e tij shkatërrimtare vijnë në shumë forma. Uraganet, tajfunet, ciklonet dhe tornadot shpesh shkaktojnë ngritje të përkohshme të nivelit të detit, përmbytje ose erëra të furishme. Shirat e rrëmbyera mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, dhe stuhitë mund të sjellin goditje rrufesh që janë shkëndijë e zjarreve shkatërrimtare. Thatësirat, valët e nxehtësisë dhe furtunat dimërore mund të jenë po kaq katastrofike.

 Në shumë vende të botës, fatkeqësitë që shkakton moti, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe raporton: «Po shtohet vazhdimisht numri i njerëzve që po preken nga katastrofat. Gjithnjë e më shumë përmbytje, stuhi dhe thatësira po marrin jetë njerëzish, po u shkatërrojnë mjetet e jetesës dhe po lënë të pastrehë miliona veta çdo vit.»

 Këto fatkeqësi nuk u sjellin njerëzve vetëm vuajtje fizike, por edhe emocionale. Disave u duhet të përballen me traumën që shkakton humbja e gjërave materiale, e shtëpisë a madje e ndonjë njeriu të shtrenjtë.

 Nëse ke vuajtur pasojat e kushteve ekstreme të motit, Bibla mund të të ndihmojë t’ia dalësh mbanë. Ajo jep ngushëllim, shpresë dhe këshilla praktike që kanë ndihmuar sa e sa njerëz të cilët janë përballur me katastrofa të shkaktuara nga moti ekstrem. (Romakëve 15:4) Veç kësaj, ajo tregon përgjigjen e një pyetjeje që mundon mjaft veta: pse lejoi Zoti që të më ndodhte kjo; a po më ndëshkon ai?

Moti ekstrem sot nuk është ndëshkim nga Zoti

 Bibla na mëson se nuk i shkakton Perëndia vuajtjet që kalojnë njerëzit. Ajo na siguron se «me qëllime të liga, Perëndia nuk mund të vihet në provë e as ai vetë nuk vë njeri në provë». (Jakovi 1:13) Kjo do të thotë se nuk e sjell Zoti motin ekstrem nga i cili po vuajnë shumë njerëz sot.

 Është e vërtetë se Bibla tregon për disa raste kur Perëndia përdori forcat e natyrës për të ndëshkuar njerëz të ligj. Mirëpo, ato raste nuk ishin si moti shkatërrimtar sot, që vjen pa paralajmëruar dhe godet si njerëzit e mirë, edhe të këqijtë. Bibla tregon se Zoti i mbronte gjithmonë të pafajshmit, i paralajmëronte që më përpara dhe u shpjegonte arsyet pse ndërmerrte atë veprim. Për shembull, Perëndia shpjegoi pse do të sillte Përmbytjen globale në ditët e Noesë, i paralajmëroi njerëzit më përpara për këtë dhe e mbrojti Noenë me familjen e tij.—Zanafilla 6:13; 2 Pjetrit 2:5.

 Që të kuptosh më mirë pse jemi të sigurt se katastrofat natyrore sot nuk janë ndëshkim nga Zoti, shiko artikullin «Çfarë thotë Bibla për katastrofat natyrore?»

Perëndia merakoset për ata që vuajnë pasojat e motit ekstrem

 Bibla tregon se Perëndia Jehova a merakoset për njerëzit dhe ndien dhimbjen e tyre. Mendo për këto vargje zemërdhënëse:

  •   Isaia 63:9: «[Perëndia] vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.»

     Kuptimi: Jehovait i dhemb shpirti kur sheh njerëz që vuajnë.

  •   1 Pjetrit 5:7: «Ai merakoset për ju.»

     Kuptimi: Jehovai e ka merak mirëqenien tënde.

 Meraku dhe dhembshuria e nxitin Jehovain të veprojë. Nëpërmjet Biblës, Ai na ngushëllon duke na dhënë këshilla praktike dhe një shpresë të sigurt për një të ardhme pa katastrofat që shkakton moti ekstrem.—2 Korintasve 1:3, 4.

Kur moti ekstrem të mos ekzistojë më

 Bibla thotë se Jehovai premton ‘të na japë një të ardhme plot shpresë’. (Jeremia 29:11) Ai ka ndër mend që njerëzit të gëzojnë jetën në një parajsë në tokë e të mos jetojnë me frikën se do të godasin katastrofat.—Zanafilla 1:28; 2:15; Isaia 32:18.

 Perëndia do ta sjellë këtë të ardhme me anë të Mbretërisë së tij, një qeveri qiellore me në krye Jezuin. (Mateu 6:10) Jezui ka edhe mençurinë, edhe fuqinë për të parandaluar katastrofat natyrore. Kur ishte në tokë, ai provoi se kishte fuqi të mbante nën kontroll motin. (Marku 4:37-41) Jezui do të qeverisë me aftësi për të kuptuar dhe me mençuri, do t’i mësojë njerëzit si të kujdesen për mjedisin dhe si të jetojnë në harmoni me natyrën. (Isaia 11:2) Nën udhëheqjen e tij, njerëzit nuk do të pësojnë kurrë më dëme nga moti ekstrem.

 Mbase pyet veten: «Kur do ta përdorë Jezui fuqinë për të mbajtur nën kontroll motin?» Për të ditur përgjigjen e kësaj pyetjeje, shiko artikullin «Kur do ta qeverisë tokën Mbretëria e Perëndisë?»

Si t’i përballojmë tani kushtet ekstreme të motit

 Këshillat e Biblës mund të të ndihmojnë para, gjatë dhe pasi të ndodhë një katastrofë e shkaktuar nga moti ekstrem.

  •   Para: Përgatitu për të vepruar pa vonesë

     Bibla thotë: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.»—Proverbat 22:3.

     Kuptimi: Mendo që më përpara se çfarë katastrofash mund të godasin zonën tënde. Kështu mund të veprosh pa vonesë dhe të mbrosh familjen.

     Histori personale: «Ditën që ikëm me të shpejtë për të shpëtuar nga zjarri, ishim të përgatitur. Kishim çantat e emergjencës. Kishim ilaçe dhe rroba. Njerëzit rreth nesh i zuri paniku dhe nuk mendonin dot në mënyrë të kthjellët. Kurse ne kishim gjithçka që na duhej. Jam shumë mirënjohëse për këtë drejtim!»—Tamara, Kaliforni, SHBA.

  •   Gjatë: Përqendrohu tek ajo që ka më tepër rëndësi

     Bibla thotë: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.

     Kuptimi: Jeta është më e rëndësishme se gjërat që zotërojmë.

     Histori personale: «Kur tajfuni Lauin b na shkatërroi shtëpinë, s’arrija të mendoja kthjellët se ç’duhej të bëja. Por, në ato momente ia zbraza zemrën Perëndisë Jehova në lutje. Kuptova se kishim humbur vetëm gjërat materiale, jo jetën.»—Lesli, Filipine.

  •   Pas: Merri ditët një e nga një

     Bibla thotë: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—Mateu 6:34.

     Kuptimi: Mos lejo të të mbytë ankthi për problemet që mund të ndodhin në të ardhmen.

     Histori personale: «Pasi uragani Irma më përmbyti shtëpinë, më duhej të merrja shumë vendime dhe isha e stresuar në maksimum. U përpoqa të zbatoja këshillën e Biblës për t’i marrë ditët një e nga një. Pashë se me ndihmën e Jehovait, mund të mbaj shumë më tepër nga ç’kisha imagjinuar.»—Selli, Florida, SHBA.

 Për më shumë këshilla praktike, lexo artikullin «Kur godet një katastrofë—Hapa jetëshpëtues».

a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.

b Njihet edhe si tajfuni Haima.