Kalo te përmbajtja

«Bëj aq sa mundem»

«Bëj aq sa mundem»

 Irma është thuajse 90 vjeçe dhe jeton në Gjermani. Pas 2 rrëzimesh është dëmtuar rëndë dhe ka bërë një sërë operacionesh. Prandaj nuk arrin të predikojë shtëpi më shtëpi si dikur. Tani Irma flet për besimin e saj duke u shkruar letra të afërmve dhe të njohurve. Kaq shumë u pëlqejnë letrat e saj zemërdhënëse e ngushëlluese, sa shpeshherë e telefonojnë për të ditur kur është letra e radhës. Gjithashtu i çojnë shumë letra falënderimi, ku i kërkojnë t’u shkruajë sërish. Irma thotë: «E gjithë kjo më lumturon dhe më ndihmon të vazhdoj predikimin.»

 Irma u shkruan letra edhe të moshuarve që jetojnë në azile. Ajo tregon: «Një zonjë e moshuar më telefonoi e më tha se letra që i shkrova kur i vdiq burri, e kishte ngushëlluar pa masë. E mban në Bibël dhe e lexon shpesh në mbrëmje. Ndërsa një grua tjetër, që i vdiq bashkëshorti kohët e fundit, më tha se letra ime e kishte ndihmuar më shumë se predikimi i priftit. Ajo kishte plot pyetje, prandaj kërkoi të më vinte për vizitë.»

 Edhe një e njohur e Irmës, e cila u transferua diku larg, i kërkoi që t’i shkruante. Irma thotë: «Gruaja i kishte ruajtur të gjitha letrat.» Pastaj vazhdon: «Kur ajo vdiq, më mori në telefon e bija. Ajo më tha se kishte lexuar çdo letër që i kisha shkruar së ëmës. Pastaj më kërkoi nëse do të ishte e mundur t’i dërgoja edhe asaj letra që flasin për Biblën.»

 Irma e shijon plotësisht shërbimin që bën. Ajo shprehet: «I përgjërohem Jehovait të më japë fuqi për t’i shërbyer. Edhe pse nuk predikoj më shtëpi më shtëpi, bëj aq sa mundem.»