Kalo te përmbajtja

Ç’mendojnë Dëshmitarët e Jehovait për bashkëpunimin mes feve?

Ç’mendojnë Dëshmitarët e Jehovait për bashkëpunimin mes feve?

 Si Dëshmitarë të Jehovait na pëlqen të diskutojmë për besimin me njerëz të të gjitha feve, ama nuk bashkëpunojmë me fetë e tjera për ta adhuruar Perëndinë me ta. Bibla thotë se të krishterët e vërtetë janë të «lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme» dhe pjesë thelbësore e kësaj harmonie është uniteti në besim. (Efesianëve 4:​16; 1 Korintasve 1:​10; Filipianëve 2:2) Kjo shkon përtej të qenit dakord me vlerën e virtyteve të tilla, si dashuria, dhembshuria dhe falja. Bindjet tona fetare bazohen në njohurinë e saktë nga Bibla, pa të cilën besimi ynë do të ishte i kotë.​—Romakëve 10:​2, 3.

 Bibla e krahason bashkimin në adhurim me njerëz të besimeve të tjera me një zgjedhë të pabarabartë, një mospërputhje që do ta dëmtonte besimin e krishterë. (2 Korintasve 6:​14-​17) Prandaj, Jezui nuk i lejoi dishepujt të adhuronin me njerëz të feve të tjera. (Mateu 12:30; Gjoni 14:6) Po njësoj, Ligji që Zoti i dha Moisiut, i ndalonte izraelitët e lashtë të përzienin adhurimin e tyre me adhurimin e fqinjve. (Dalja 34:11-​14) Më vonë izraelitët besnikë refuzuan një ofertë për ndihmë që do t’i çonte në një aleancë fetare me fetë e tjera.​—Ezdra 4:​1-3.

A flasin për besimin Dëshmitarët e Jehovait me njerëz të feve të tjera?

 Po. Ashtu si apostulli Pavël, kur predikojmë, na intereson të dimë ç’mendojnë e ç’besojnë «sa më shumë njerëz». (1 Korintasve 9:​19-​22) Gjatë bisedave përpiqemi sinqerisht të zbatojmë këshillën biblike për të shfaqur «respekt të thellë» për të tjerët.​—1 Pjetrit 3:​15.