Kalo te përmbajtja

Në këtë foto që është bërë para pandemisë COVID-19, Sintia (majtas), një lajmëtare në moshë, komunikon me një motër në kongregacionin e saj me anë të gjuhës së shenjave me të prekur

12 MAJ 2020
FILIPINE

Gjatë pandemisë, kongregacioni ndihmon një motër që nuk shikon dhe nuk dëgjon

Gjatë pandemisë, kongregacioni ndihmon një motër që nuk shikon dhe nuk dëgjon

Sintia Pablo, një lajmëtare e papagëzuar që është 64 vjeçe, ndjek mbledhjet në kongregacionin Pangulo të gjuhës së shenjave, Filipine. Ajo as dëgjon e as shikon dhe është e varfër. Sintia jeton me të afërm që s’janë Dëshmitarë, në një zonë goxha të populluar në qytetin e Valenzuelës. Edhe pse situata e Sintias është bërë edhe më keq për shkak të pandemisë, kongregacioni po bën gjithçka mundet që të kujdeset për të.

Vëlla Valteri me motorin e tij, i çon Sintias rrobat e lara dhe gjëra të tjera të nevojshme

Për shkak të moshës, Sintia është më e rrezikuar nga COVID-19. Gjatë pandemisë, nuk ka pasur ujë mjaftueshëm në zonën e saj, ndaj e ka të vështirë t’i lajë rrobat. Para kësaj krize shëndetësore, e ndihmonin motrat në kongregacion, por për shkak të kufizimeve të qeverisë, nuk mund ta ndihmojnë dot më.

Vëlla Valter Ilumini, një plak në kongregacionin e saj, ka marrë leje të veçantë nga autoritetet që të dalë e ta ndihmojë. Kjo leje u jepet vetëm atyre që kryejnë shërbime të domosdoshme. Përveçse i lan rrobat, Valteri i çon ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ai u bindet me përpikëri të gjitha ligjeve dhe udhëzimeve të qeverisë, si për shembull, mban maskë dhe pajisje të tjera mbrojtëse, si edhe i lan shpesh duart.

Sintia regjistron video të shkurtra për të falënderuar vëllezërit e motrat. Pastaj, vëlla Valteri ia tregon videon kongregacionit.

Sintia duke predikuar para pandemisë

Ai shkon në shtëpinë e saj që ta ndihmojë për mbledhjet që mban kongregacioni nëpërmjet videokonferencës, duke ia interpretuar me anë të gjuhës së shenjave me të prekur. Falë ndihmës së tij, Sintia komenton rregullisht gjatë Studimit të Kullës së Rojës. Pjesëmarrja e saj në këtë kohë të vështirë u jep zemër të gjithë atyre që ndjekin mbledhjet.

Jemi të sigurt se Jehovai kënaqet kur sheh shërbëtorët e tij teksa ngushëllojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin me gjëra praktike, «aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet».—Hebrenjve 10:24, 25.