Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për pandemitë?

Çfarë thotë Bibla për pandemitë?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla parathoshte se gjatë ditëve të fundit do të kishte murtaja (sëmundje të përhapura, përfshirë këtu pandemitë). (Luka 21:11) Por, pandemitë nuk janë hakmarrje ose ndëshkim nga Perëndia. Në fakt, me anë të Mbretërisë së Tij, Perëndia do t’u japë fund të gjitha problemeve shëndetësore, pra edhe pandemive.

 A i parathoshte Bibla pandemitë?

 Bibla nuk parathotë në mënyrë specifike pandemi ose sëmundje të tilla, si COVID-19, SIDA, ose gripi spanjoll. Ama parathotë se do të ketë «murtaja» dhe «sëmundje vdekjeprurëse». (Luka 21:11; Zbulesa 6:8) Këto janë pjesë e shenjës së ‘ditëve të fundit’, një periudhë që ndryshe quhet edhe ‘përfundimi i sistemit’.—2 Timoteut 3:1; Mateu 24:3.

 A i ka ndëshkuar ndonjëherë Zoti njerëzit me sëmundje?

 Bibla dokumenton disa ngjarje kur Perëndia i ndëshkoi njerëzit me sëmundje. Për shembull, disa i goditi me lebër. (Numrat 12:1-16; 2 Mbretërve 5:20-27; 2 Kronikave 26:16-21) Gjithsesi, këto ishin raste të izoluara, jo pandemi që u përhapën te njerëzit e pafajshëm. Pra, këto raste ishin gjykime të drejtpërdrejta ndaj disa personave që ishin rebeluar haptazi kundër Perëndisë.

 A janë pandemitë e ditëve të sotme ndëshkim nga Zoti?

 Jo. Disa pohojnë se sot Perëndia i përdor pandemitë dhe sëmundje të tjera që të ndëshkojë njerëzit. Mirëpo, Bibla nuk e mbështet këtë mendim. Pse?

 Së pari, disa adhurues të Perëndisë—si në të shkuarën, edhe në të tashmen—janë prekur nga sëmundjet. Për shembull, Timoteu besnik vuante nga ‘sëmundje të shpeshta’. (1 Timoteut 5:23) Ama, Bibla nuk thotë se kjo ishte shenjë që Perëndia ishte i pakënaqur me të. Po njësoj edhe sot, disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë preken nga sëmundje të ndryshme. Shpesh, këta njerëz ishin thjesht në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar.—Eklisiastiu 9:11.

 Për më tepër, Bibla na mëson se nuk ka ardhur ende koha kur Perëndia do të ndëshkojë të ligjtë. Në fakt po jetojmë në ‘ditën e shpëtimit’, pra në një kohë kur Perëndia po i fton me dashuri të gjithë njerëzit të afrohen me të dhe të shpëtojnë. (2 Korintasve 6:2) Një mënyrë si e bën këtë është me anë të veprës globale të predikimit që përmban një mesazh pozitiv—‘lajmin e mirë për Mbretërinë’.—Mateu 24:14.

 A do të marrin fund pandemitë?

 Po. Bibla parathotë se në të ardhmen e afërt nuk do të ketë më asnjë të sëmurë. Nën qeverisjen e Mbretërisë së tij, Perëndia do t’i eliminojë të gjitha problemet shëndetësore. (Isaia 33:24; 35:5, 6) Ai do të zhdukë vuajtjet, dhembjet dhe vdekjen. (Zbulesa 21:4) Gjithashtu do të rikthejë në jetë ata që kanë vdekur, që të gëzojnë shëndet të plotë këtu në tokë, me kushte të përsosura.—Psalmi 37:29; Veprat 24:15.

 Vargje nga Bibla për sëmundjet

 Mateu 4:23: «[Jezui] i ra përqark mbarë Galilesë duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë dhe duke shëruar çdo lloj lëngate e sëmundjeje në popull.»

 Kuptimi: Mrekullitë e Jezuit demonstrojnë në një shkallë të vogël atë që do të bëjë së shpejti Mbretëria e Perëndisë për të gjithë njerëzimin.

 Luka 21:11: «Do të ketë . . . murtaja.»

 Kuptimi: Problemet e përhapura shëndetësore janë pjesë e shenjës së ditëve të fundit.

 Zbulesa 6:8: «Pashë një kalë të zbehtë, dhe kalorësi i tij e kishte emrin Vdekje. Atë e ndiqte nga afër Varri. Atyre iu dha autoritet . . . për të vrarë . . . me sëmundje vdekjeprurëse.»

 Kuptimi: Profecia për katër kalorësit e Zbulesës tregon se gjatë kohës sonë do të kishte pandemi.