Kalo te përmbajtja

Çfarë është bisha me shtatë kokë që përmendet te kapitulli i 13-të i Zbulesës?

Çfarë është bisha me shtatë kokë që përmendet te kapitulli i 13-të i Zbulesës?

Përgjigjja e Biblës

 Bisha me shtatë kokë për të cilën flitet te Zbulesa 13:1 përfaqëson sistemin politik mbarëbotëror.

  •   Ka autoritet, fuqi dhe fron. Kjo tregon se është një organizatë politike.​—Zbulesa 13:2.

  •   Ajo sundon «mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb», pra s’mund të jetë qeveria e një kombi të vetëm.​—Zbulesa 13:7.

  •   Ka karakteristikat e të katër bishave të profecisë te Danieli 7:2-8, përfshirë pamjen si leopard, këmbët e ariut, gojën e luanit dhe dhjetë brirët. Secila nga bishat në profecinë e Danielit identifikohet si një mbret ose mbretëri politike. Ato sundojnë njëra pas tjetrës si perandori. (Danieli 7:17, 23) Kështu, bisha te Zbulesa kapitulli 13 përfaqëson një organizatë të përbërë politike.

  •   Ajo del «nga deti», domethënë nga masa e trazuar e njerëzimit që është burimi i qeverive njerëzore.​—Zbulesa 13:1; Isaia 17:12, 13.

  •   Bibla thotë se numri ose emri i bishës, 666, është «një numër njeriu». (Zbulesa 13:17, 18) Kjo shprehje nënkupton se bisha te Zbulesa kapitulli 13 nuk është një qenie frymore ose një demon, por ka natyrë njerëzore.

 Edhe pse kombet nuk bien dakord në shumë gjëra, janë në unitet për sa i përket vendosmërisë për të mbajtur autoritetin e tyre, në vend se t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë. (Psalmi 2:2) Veç kësaj, ata do të bashkojnë forcat për të luftuar kundër ushtrive të Perëndisë nën udhëheqjen e Jezu Krishtit në Harmagedon. Por në këtë luftë, kombet do të shkatërrohen.​—Zbulesa 16:14, 16; 19:19, 20.

«Dhjetë brirë dhe shtatë koka»

 Në Bibël, disa numra përdoren në mënyrë simbolike. Për shembull, dhjeta dhe shtata tregojnë plotësi. Për të kuptuar tamam domethënien e ‘dhjetë brirëve dhe shtatë kokave’ të bishës te Zbulesa kapitulli 13, na ndihmon ‘shëmbëlltyra e bishës’ që identifikohet më poshtë te Zbulesa, një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur që ka shtatë kokë dhe dhjetë brirë. (Zbulesa 13:1, 14, 15; 17:3) Bibla thotë se shtatë kokat e kësaj bishe të kuqe përfaqësojnë ‘shtatë mbretër’ ose qeveri.​—Zbulesa 17:9, 10.

 Po kështu, shtatë kokat e bishës te Zbulesa 13:1 përfaqësojnë shtatë qeveri: fuqitë kryesore politike që kanë sunduar përgjatë historisë dhe kanë qenë nismëtaret për të shtypur popullin e Perëndisë​—Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia, Greqia, Roma dhe Anglo-Amerika. Nëse nxjerrim përfundimin se dhjetë brirët përfaqësojnë të gjitha shtetet sovrane, të vogla e të mëdha, atëherë diadema ose kurora mbi secilin bri tregon se çdo komb sundon njëkohësisht me fuqinë kryesore botërore në pushtet.