Kalo te përmbajtja

Çfarë është spiritualiteti? A mund ta zhvilloj pa qenë pjesë e një feje?

Çfarë është spiritualiteti? A mund ta zhvilloj pa qenë pjesë e një feje?

Përgjigjja e Biblës

 Nga Bibla kuptojmë se spiritualiteti, thënë ndryshe shpirtërorja, mund të përshkruhet si dëshirë e fortë për ta kënaqur Perëndinë dhe për të përvetësuar mënyrën si mendon ai. Njeriu spiritual ose shpirtëror bën çmos të jetojë në përputhje me normat e Perëndisë dhe të ndjekë drejtimin e frymës së Tij të shenjtë. aRomakëve 8:5; Efesianëve 5:1.

 Bibla shpesh përdor kontraste për të shpjeguar çfarë është spiritualiteti. Për shembull, ndryshe nga një njeri spiritual, «njeriu fizik, nuk i pranon gjërat që zbulon fryma», domethënë mësimet e Perëndisë. (1 Korintasve 2:14-16, shënimi) Në kontrast me njerëzit spiritualë, njerëzit fizikë, pra që drejtohen nga dëshirat e veta, kanë prirjen të kenë «xhelozi dhe konflikte» në vend se bujari dhe paqe. (1 Korintasve 3:1-3) Ata që me buzët e tyre shpifin dhe ndajnë miqtë e ngushtë, quhen «njerëz shtazarakë që nuk e kanë frymën e Perëndisë», thënë ndryshe, nuk janë spiritualë.—Juda 19; Proverbat 16:28. b

Në këtë artikull

 Nga buron spiritualiteti?

 Ne kemi potencialin për të qenë njerëz spiritualë ose shpirtërorë ngaqë jemi krijuar sipas imazhit të Perëndisë. (Zanafilla 1:27) Prandaj nuk habitemi që shumë njerëz i vlerësojnë deri diku e madje janë kureshtarë për gjërat që nuk i shohin e nuk i prekin, për gjërat që nuk janë fizike.

 Kemi aftësinë e lindur për të shfaqur cilësi si ato që ka Perëndia Jehova, c të tilla, si paqja, mëshira dhe paanshmëria. (Jakovi 3:17) Për më tepër, Perëndia u jep frymën e shenjtë atyre që përpiqen fort t’u binden urdhërimeve të Tij, pra i ndihmon të zhvillojnë spiritualitetin.—Veprat 5:32.

 Pse është i rëndësishëm spiritualiteti?

 Spiritualiteti sjell «jetë dhe paqe». (Romakëve 8:6) Këto dhurata nga Perëndia kanë një vlerë që nuk krahasohen me asgjë tjetër.

  •   Jetë: Zoti premton t’u japë jetë të përhershme njerëzve spiritualë.—Gjoni 17:3; Galatasve 6:8.

  •   Paqe: Këtu e ka fjalën për paqen me Perëndinë. Ata që përqendrohen vetëm te nevojat e tyre fizike, janë armiq të Perëndisë. (Romakëve 8:7) Kurse ata që zhvillojnë spiritualitetin, pra aspektin shpirtëror, Perëndia i shpërblen me ‘paqen e Tij, që tejkalon çdo mendim». (Filipianëve 4:6, 7) Kjo paqe e brendshme i ndihmon të gjejnë lumturi në jetë.—Mateu 5:3.

 Si ta zhvilloj spiritualitetin?

  •   Mësoji urdhërimet e Perëndisë dhe zbatoji. Këtë mund ta bësh duke lexuar Biblën, që përmban mendimet e Perëndisë, të cilat i hodhën me shkrim burra «të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjetrit 1:21) Ajo që do të mësosh, do të të ndihmojë ta adhurosh Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë», pra nën drejtimin e frymës së shenjtë dhe në përputhje me vullnetin e Tij.—Gjoni 4:24.

  •   Lutu për ndihmën e Perëndisë. (Luka 11:13) Zoti do të të ndihmojë të shfaqësh cilësitë që e karakterizojnë një njeri spiritual ose shpirtëror. (Galatasve 5:22, 23) Gjithashtu mund të të japë mençuri për të përballuar vështirësitë e jetës.—Jakovi 1:5.

  •   Shoqërohu me njerëz spiritualë. Ata do të të nxitin të zhvillosh spiritualitetin. (Romakëve 1:11, 12) Kurse, po të shoqërohesh me njerëz, pikëpamjet e të cilëve bien në kundërshtim me pikëpamjen e Zotit, do të të dobësohet spiritualiteti.—Jakovi 4:4.

 A mund të jem spiritual pa qenë pjesë e një feje?

 Për të qenë njeri spiritual nuk mjafton të jesh pjesë e një feje. Bibla thotë: «Nëse dikush mendon se është fetar, por nuk e mban nën fre gjuhën, gënjen veten dhe adhurimi i tij është i kotë.»—Jakovi 1:26, shënimi.

 Nga ana tjetër, Bibla tregon se njerëzit spiritualë e adhurojnë Perëndinë sipas mënyrës që miraton Ai. Ata pranojnë se ekziston ‘një frymë e vetme’—fryma e shenjtë e Perëndisë. Kjo frymë i shtyn ta adhurojnë Perëndinë si ‘një trup i vetëm’, domethënë si një grup i organizuar që ruan «njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes».—Efesianëve 4:1-4.

 Ide të gabuara për spiritualitetin

 Ide e gabuar: Spiritualiteti përfshin çdo mënyrë jetese që e ndihmon një person të ndihet i plotësuar ose që të arrijë potencialin e tij të plotë.

 Fakt: Sipas Biblës, spiritualiteti është një mënyre jetese që udhëhiqet nga mendimet e Perëndisë. Nuk ka lidhje me përpjekjet për t’u bërë njeri i mirë pa përfshirë Perëndinë. Njerëzit vërtet spiritualë ndihen të plotësuar shpirtërisht kur pranojnë se Jehovai është Krijuesi i tyre dhe kur jetojnë në përputhje me qëllimin e tij.—Psalmi 100:3.

 Ide e gabuar: Dikush mund ta zhvillojë spiritualitetin duke i mohuar vetes gjërat që i sjellin kënaqësi dhe duke i shkaktuar vetes dhimbje.

 Fakt: Trajtimi i ashpër i trupit është «një formë e vetimponuar adhurimi» dhe një mënyrë të menduari që nuk udhëhiqet nga fryma e Perëndisë. (Kolosianëve 2:18, 23) Sipas Biblës, spiritualiteti sjell gëzim, jo dhimbje.—Proverbat 10:22.

 Ide e gabuar: Çfarëdolloj lidhjeje me botën e padukshme, përfshirë spiritizmin ose spiritualizmin, i kontribuon spiritualitetit.

 Fakt: Një formë e spiritizmit, që ndonjëherë quhet edhe spiritualizëm, lidhet me besimin se shpirti i të vdekurve mund të komunikojë me të gjallët. Mirëpo Bibla na mëson se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. (Eklisiastiu 9:5) Në të vërtetë, spiritizmi është komunikimi me krijesat qiellore që janë në armiqësi me Perëndinë. Spiritizmi i ndez zemërimin Zotit dhe e pengon dikë të zhvillojë spiritualitetin.—Levitiku 20:6; Ligji i përtërirë 18:11, 12.

 Ide e gabuar: Të gjitha krijesat kanë prirjen e lindur për të qenë spiritualë.

 Fakt: Gjithçka që Zoti ka krijuar, i sjell lavdi atij. (Psalmi 145:10; Romakëve 1:20) Megjithatë, spiritualitetin mund ta zhvillojnë vetëm krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar. Nga ana tjetër, kafshët veprojnë sipas instinktit dhe s’mund të krijojnë miqësi me Perëndinë. Veprimet e tyre diktohen kryesisht nga nevojat fizike. (2 Pjetrit 2:12) Prandaj, Bibla bën dallimin mes spiritualitetit dhe mendimeve e sjelljeve shtazarake.—Jakovi 3:15; Juda 19.

a Në Bibël, fjalët e gjuhës origjinale që janë përkthyer «frymë», në thelb kanë kuptimin «frymëmarrje». Sipas një kuptimi më të gjerë, i referohen diçkaje të padukshme, por që është një forcë aktive. Bibla thotë se Perëndia është frymë dhe Qenia Më e Lartë. Një njeri spiritual zgjedh që ta drejtojë vullneti i Perëndisë dhe fryma e Tij e shenjtë.

b Në Bibël fjala «fizik», kur përdoret për njerëzit, u referohet personave, mendimet dhe veprimet e të cilëve udhëhiqen kryesisht nga nevojat e trupit ose nga nevojat e tyre fizike, duke i marrë pak ose aspak parasysh normat e Perëndisë.

c Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.