Kalo te përmbajtja

Kush është Jehovai?

Kush është Jehovai?

Përgjigjja e Biblës

 Jehovai është Perëndia i vërtetë i Biblës, Krijuesi i gjithçkaje. (Zbulesa 4:​11) Profetët Abraham dhe Moisi e adhuruan, ashtu si edhe Jezui. (Zanafilla 24:27; Dalja 15:1, 2; Gjoni 20:17) Ai është Perëndia i ‘mbarë tokës’, jo vetëm i një populli.​—Psalmi 47:2.

 Jehova është emri unik i Perëndisë, siç tregohet në Bibël. (Dalja 3:​15; Psalmi 83:18) Ai vjen nga një folje në hebraisht që do të thotë «të bëhet» dhe disa studiues mendojnë se ky emër do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ky përkufizim i përshtatet më së miri rolit të Jehovait si Krijuesi dhe Realizuesi i qëllimit të tij. (Isaia 55:10, 11) Bibla na ndihmon të njohim personin që qëndron pas emrit Jehova e sidomos cilësinë e tij mbizotëruese: dashurinë.​—Dalja 34:5-7; Luka 6:35; 1 Gjonit 4:8.

 Emri Jehova është përkthimi në shqip i emrit të Zotit nga hebraishtja, nga katër shkronjat יהוה (JHVH), që njihen si Tetragrami. Megjithëse shqiptimi i saktë i emrit hyjnor në hebraishten e lashtë nuk dihet, emri Jehova është përdorur prej kohësh në shqip. Për shembull, ai gjendet në përkthimin e Biblës nga Kristoforidhi, që filloi aty nga mesi i shekullit të 19-të. a

Pse është i panjohur shqiptimi i emrit të Perëndisë në hebraishten e lashtë?

 Hebraishtja e lashtë shkruhej vetëm me bashkëtingëllore, pa zanore. Kur hebraishtfolësit lexonin në këtë gjuhë, arrinin t’i vendosnin kollaj zanoret e duhura. Megjithatë, pasi mbaruan Shkrimet Hebraike (Dhiata e Vjetër), disa judenj përvetësuan bindjen bestyte se ishte e gabuar ta shqiptoje emrin personal të Perëndisë. Kur lexonin me zë një shkrim që përmbante emrin e Perëndisë, e zëvendësonin me fjalë, si «Zot» ose «Perëndi». Kjo bestytni u përhap me kalimin e shekujve dhe humbi mënyra si shqiptohej ky emër në lashtësi. b

 Disa mendojnë se emri hyjnor shqiptohej «Jahve», kurse të tjerë sugjerojnë se shqiptohet ndryshe. Një nga Rrotullat e Detit të Vdekur që përmbante një pjesë të Levitikut në greqisht e transliteronte Iao. Shkrimtarët e hershëm grekë sugjerojnë edhe shqiptimet Iae, Iabé dhe Iaoué, por asnjë prej tyre nuk mund të provohet se ka qenë shqiptimi që përdorej në hebraishten e lashtë. c

Koncepte të gabuara për emrin e Perëndisë në Bibël

 Koncept i gabuar: Përkthimet që përdorin emrin «Jehova» e kanë shtuar vetë këtë emër.

 Fakt: Fjala hebraike për emrin e Perëndisë në formën e Tetragramit shfaqet rreth 7.000 herë në Bibël. d Shumë përkthime e heqin emrin e Perëndisë në mënyrë arbitrare dhe e zëvendësojnë me tituj, si «Zotëri».

 Koncept i gabuar: Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një emër të përveçëm.

 Fakt: Vetë Perëndia frymëzoi shkrimtarët e Biblës ta përdornin me mijëra herë emrin e tij, dhe kërkon nga adhuruesit e tij që ta përdorin këtë emër. (Isaia 42:8; Joeli 2:​32; Malakia 3:​16; Romakëve 10:13) Në fakt, Perëndia i dënoi profetët e rremë të cilët bënë përpjekje që njerëzit ta harronin emrin e tij.​—Jeremia 23:27.

 Koncept i gabuar: Sipas traditës judaike, emri i Perëndisë duhet hequr nga Bibla.

 Fakt: Është e vërtetë se disa skribë judenj nuk donin ta shqiptonin emrin e Perëndisë. Gjithsesi nuk e hoqën nga kopjet e tyre të Biblës. Sidoqoftë, Perëndia nuk do që të ndjekim tradita njerëzore që nuk u përmbahen urdhërimeve të tij.​—Mateu 15:​1-3.

 Koncept i gabuar: Emri hyjnor nuk duhet përdorur në Bibël meqë nuk dihet me saktësi si shqiptohej në hebraisht.

 Fakt: Ky arsyetim lë të nënkuptohet se Perëndia pret që njerëzit ta shqiptojnë fiks njësoj emrin e tij, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme. Ama Bibla tregon se adhuruesit e Perëndisë në të shkuarën që flisnin gjuhë të ndryshme, i shqiptonin ndryshe emrat e përveçëm.

 Për shembull mendo për Josiun, gjykatësin izraelit. Të krishterët e shekullit të parë që flisnin hebraisht duhet ta kenë shqiptuar emrin e tij Jehohshúaʽ, kurse ata që flisnin greqisht duhet ta kenë shqiptuar Iesoús . Në Bibël dokumentohet përkthimi në greqisht i emrit hebraik të Josiut, e kjo tregon se të krishterët me arsyetueshmëri përdorën atë formë të emrave të përveçëm që ishte e zakonshme në gjuhën e tyre.​—Veprat 7:​45; Hebrenjve 4:8.

 I njëjti parim vlen edhe për përkthimin e emrit hyjnor. Vendosja e emrit të Perëndisë në vendin që i takon në Bibël ka shumë më tepër rëndësi se shqiptimi i saktë.

a Kristoforidhi dhe Diodati i Ri (1991-1994) përdorin formën «Jehovah», kurse Simon Filipaj përdor formën «Jahve».

b Në botimin e dytë të New Catholic Encyclopedia, vëllimi 14, faqet 883-​884, thuhet: «Pak pasi mbaroi Mërgimi, emri Jahveh nisi të konsiderohej i denjë për nderim tejet të veçantë dhe prandaj u bë zakon të zëvendësohej me fjalët ADONAI ose ELOHIM.»

c Për më shumë informacion shih pjesën 1 te broshura Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë.

d Shih Theological Lexicon of the Old Testament, vëllimi 2, faqet 523-​524.