Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Shqisa e të nuhaturit te qeni

Shqisa e të nuhaturit te qeni

 Studiuesit thonë se qeni, me anë të shqisës së të nuhaturit, dallon moshën, gjininë dhe humorin e një qeni tjetër. Nëse stërvitet, mund të gjurmojë eksplozivët dhe drogat e jashtëligjshme. Ndërkohë që njeriu përdor kryesisht shikimin për të hetuar ambientin ku ndodhet, qeni përdor shqisën e të nuhaturit. Ai «lexon» me hundë.

 Shqyrto faktet: Shqisa e të nuhaturit te qeni është mijëra herë më e avancuar sesa te njeriu. Sipas një instituti (U.S. National Institute of Standards and Technology), qeni «arrin të dallojë disa përbërës në raportin pjesë për trilion. Pra është si të dallojë se, në një pishinë olimpike, është tretur thuajse çerek luge çaji me sheqer.»

 Pse nuhatja e qenit është shumë herë më e avancuar se e njeriut?

  •   Hunda e qenit është e lagur, prandaj e ka të lehtë të shquajë edhe grimcat e një arome.

  •   Hunda e qenit ka dy rrugë ku kalon ajri: njëra për frymëmarrjen dhe tjetra për nuhatjen. Kur qeni i merr erë diçkaje, ajri shkon tek ajo pjesë e zgavrës së hundës ku ndodhen receptorët e nuhatjes.

  •   Në hundën e qenit, sipërfaqja që është përgjegjëse për shqisën e të nuhaturit (shtresa olfaktore) është 130 cm2, ndërsa te njeriu është 5 cm2.

  •   Qeni ka 50 herë më shumë receptorë të nuhatjes sesa njeriu.

 Të gjitha këto bëjnë që qeni të veçojë përbërësit e ndryshëm të një arome të përzier. Për shembull, sipas disa specialistëve, ne ndiejmë aromën e supës, por qeni dallon çdo përbërës të recetës.

 Studiuesit e një instituti kërkimor rreth kancerit, Pine Street Foundation, thonë se truri dhe hunda e qenit funksionojnë së bashku si të ishin «një nga aparatet më të sofistikuara në botë për perceptimin e aromave». Shkencëtarët po krijojnë «hundë» elektronike që të arrijnë të dallojnë erën e eksplozivëve, të mallit kontrabandë dhe të sëmundjeve, përfshirë kancerin.

 Si mendon? A erdhi me evolucion shqisa e të nuhaturit te qeni apo është projektuar?