Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Filipianëve 4:6, 7—«Mos u shqetësoni për asgjë»

Filipianëve 4:6, 7—«Mos u shqetësoni për asgjë»

 «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7, Përkthimi Bota e Re.

 «Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.»—Filipianëve 4:6, 7, Diodati i Ri.

Kuptimi i Filipianëve 4:6, 7

 Kur adhuruesit e Perëndisë i mbyt ankthi ose shqetësimet e tepërta, mund t’i luten Atij për të gjetur lehtësim. Ai premton se do t’u japë paqe të brendshme, e cila do t’i ndihmojë të përballojnë ankthin dhe të mbajnë nën kontroll mendimet dhe ndjenjat. Vargu 6 flet për disa lloje lutjesh që mund ta ndihmojnë dikë të provojë këtë paqe.

 Kërkesat janë lutje specifike përmes të cilave i kërkojmë diçka Perëndisë. Adhuruesit e tij mund të bëjnë kërkesa «për çdo gjë». Gjithsesi, këto lutje duhet të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë që tregohet në Bibël.—1 Gjonit 5:14.

 Përgjërimet janë lutje të zjarrta për ndihmë drejtuar Perëndisë. Dikush mund t’i përgjërohet Perëndisë kur është shumë i stresuar ose në rrezik, siç bëri Jezui. (Hebrenjve 5:7) Shpesh këto lloj lutjesh bëhen pa pushim.

 Lutjet në formë falënderimi drejtuar Perëndisë shprehin mirënjohjen për atë që ka bërë dhe që do të bëjë për ne. Kur përqendrohemi tek arsyet që kemi për të falënderuar Perëndinë, mund të ruajmë gëzimin.—1 Selanikasve 5:16-18.

 Perëndia u përgjigjet këtyre lutjeve duke u dhënë paqe adhuruesve të tij. ‘Paqja e Perëndisë’ është një ndjenjë qetësie që vjen kur ke një miqësi të ngushtë me Të. (Romakëve 15:13; Filipianëve 4:9) Kjo paqe «tejkalon çdo mendim», sepse vjen nga Perëndia dhe mund të na ndihmojë më tepër nga sa imagjinojmë.

 Ky varg thotë se paqja e Perëndisë mund të na ruajë zemrën. Në këtë shkrim, fjala greke e përkthyer ‘ruaj’ lidhet me një term ushtarak që përcjell idenë e punës që bënin një grup ushtarësh për të mbrojtur një qytet të fortifikuar. Në të njëjtën mënyrë paqja e Perëndisë e mbron dikë mendërisht dhe emocionalisht. Pra e ndihmon të mos mbytet nga ankthi për shkak të problemeve ose të halleve.

 Paqja e Perëndisë na mbron «me anë të Krishtit», sepse vetëm falë tij mund të kemi miqësi me Perëndinë. Jezui dha jetën e tij si flijim shpërblyes për mëkatet tona. Nëse kemi besim tek ai, mund të marrim bekimet e Perëndisë. (Hebrenjve 11:6) Gjithashtu, ne i lutemi Perëndisë vetëm nëpërmjet Jezuit. Ai tha: «Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6; 16:23.

Konteksti i Filipianëve 4:6, 7

 Letrën e Filipianëve, apostulli Pavël e shkroi për të krishterët që jetonin në qytetin e Filipisë. a Në pjesën që tani njihet si kapitulli 4, Pavli e inkurajon kongregacionin të gëzojë. Madje i falënderon për bujarinë e tyre, që për të ishte një arsye për të gëzuar. (Filipianëve 4:4, 10, 18) Ai tregon se nëpërmjet lutjes mund të kemi paqen e Perëndisë. Gjithashtu shpjegon se çfarë duhet të themi dhe të bëjmë që të provojmë ndihmën që vjen nga «Perëndia i paqes».—Filipianëve 4:8, 9.

a Gjendet në Greqinë e sotme.