Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Biskota për qentë

Biskota për qentë

NJË burrë që quhet Nik e që jeton në Oregon, SHBA, shkruante: «Në pranverën e vitit 2014, fillova të nxirrja shëtitje dy qentë e mi të vegjël në qendër të qytetit. Atje zakonisht shihja Dëshmitarë që rrinin pranë stendave të literaturës. Ishin të veshur mirë dhe e përshëndetnin çdo kalimtar me një buzëqeshje të ngrohtë.

Dëshmitarët ishin miqësorë jo vetëm me njerëzit, por edhe me qentë e mi. Një ditë, Ilejna, një Dëshmitare që po rrinte te stenda, i zgjati ca biskota dy qenve të mi terrier. Aq u desh, dhe që atëherë qentë më tërhiqnin që t’i çoja te ‘qoshja e biskotave’.

Muajt rridhnin njëri pas tjetrit. Qentë kënaqeshin me biskotat, e unë kënaqesha me bisedat e shkurtra që bëja me Dëshmitarët. Megjithatë, ngurroja të isha tepër miqësor me ta. Isha mbi 70 vjeç dhe nuk e dija mirë çfarë besonin Dëshmitarët. Meqë isha zhgënjyer nga kishat protestante, mendoja se më e mira ishte ta studioja Biblën vetë.

Gjatë asaj periudhe, shihja Dëshmitarë të tjerë që rrinin pranë stendave në pika të ndryshme të qytetit. Edhe ata ishin gjithnjë të përzemërt. U jepnin gjithmonë përgjigje të bazuara te Bibla pyetjeve të mia, e kështu fillova të kisha më shumë besim tek ata.

Një ditë Ilejna më pyeti: ‘A beson se kafshët janë një dhuratë nga Perëndia?’ Iu përgjigja: ‘Po, pa diskutim!’ Atëherë Ilejna më lexoi Isainë 11:6-9. Ajo ishte një pikë kthese për mua, edhe pse akoma hezitoja të merrja literaturë.

Ditët në vijim bëra biseda të shkurtra por domethënëse me Ilejnën dhe të shoqin, Brentin. Ata më sugjeruan të lexoja nga Mateu deri te Veprat për të kuptuar se çfarë përfshin të ecësh në gjurmët e Krishtit. E ashtu bëra. Pak kohë më vonë, në verën e vitit 2016, pranova të studioja Biblën me Brentin dhe Ilejnën.

Mezi e prisja çdo javë studimin e Biblës dhe mbledhjet ne Sallën e Mbretërisë. Ndihesha aq i lumtur e i bekuar që po mësoja çfarë thotë Bibla. Pak më shumë se një vit më vonë, u bëra Dëshmitar i pagëzuar. Tani, në moshën 79-vjeçare, jam i sigurt se po eci në rrugën e duhur. Jehovai më ka bekuar duke më pritur krahëhapur në familjen e tij.»