Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë thotë Bibla për bërjen e betimeve?

Një betim është përkufizuar si «një deklaratë ose premtim solemn për të mbajtur një zotim, shpesh duke pasur si dëshmitar . . . Perëndinë». Betimi mund të bëhet me gojë ose me shkrim.

Ndoshta disa mendojnë se është e gabuar të betohesh ngaqë Jezui tha: «Mos u beto fare . . . Mjafton të thuash ‘po’ e të jetë ‘po’, dhe ‘jo’ e të jetë ‘jo’, sepse çdo gjë që thuhet përtej këtyre, vjen nga i Ligu.» (Mat. 5:33-37) Pa dyshim, Jezui e dinte se Ligji i Moisiut kërkonte që izraelitët të betoheshin në disa raste; dinte se edhe disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë kishin bërë betime. (Zan. 14:22, 23; Eks. 22:10, 11) Gjithashtu, Jezui e dinte që edhe vetë Jehovai kishte bërë betime. (Hebr. 6:13-17) Prandaj, Jezui nuk po thoshte të mos betohemi kurrë. Në vend të kësaj, po paralajmëronte të mos betohemi për çikërrima ose për gjëra koti. Mbajtjen e fjalës së dhënë duhet ta shohim si një detyrë të shenjtë dhe duhet ta kemi me tërë mend atë që themi.

Si duhet të veprosh, pra, nëse të kërkojnë të bësh një betim? Së pari, sigurohu se je në gjendje ta mbash zotimin. Nëse nuk je i sigurt, më e mira është të mos betohesh. Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Është më mirë të mos e marrësh një zotim, se ta marrësh e të mos e mbash.» (Ekl. 5:5) Së dyti, shqyrto parime nga Shkrimet që lidhen me atë betim, e pastaj vepro sipas ndërgjegjes sate të stërvitur. Cilat janë disa nga këto parime?

Disa betime janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait bëjnë betimin e martesës. Para Perëndisë dhe dëshmitarëve të pranishëm, nusja dhe dhëndri premtojnë se do ta duan, do ta çmojnë e do ta respektojnë njëri-tjetrin ‘për sa kohë që të jetojnë të dy së bashku në tokë’. (Çifte të tjera mbase nuk thonë fiks këto fjalë kur martohen, por gjithsesi bëjnë një betim para Perëndisë.) Pas kësaj, ata janë burrë e grua dhe martesa e tyre duhet të jetë një lidhje për tërë jetën. (Zan. 2:24; 1 Kor. 7:39) Betimi martesor është një betim i përshtatshëm dhe në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

Disa betime bien ndesh me vullnetin e Perëndisë. Një i krishterë i vërtetë nuk do të bënte betime të tilla si të mbronte me armë një vend ose të hiqte dorë nga besimi te Perëndia. Kjo do të shkelte urdhërimet e Perëndisë. Ne nuk duhet të jemi «pjesë e botës», prandaj nuk mund të përzihemi në debatet dhe konfliktet e saj.—Gjoni 15:19; Isa. 2:4; Jak. 1:27.

Disa betime janë çështje ndërgjegjeje. Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme ta shqyrtojmë me kujdes një betim duke mbajtur parasysh këshillën e Jezuit: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»—Luka 20:25.

Ta zëmë, për shembull, se një Dëshmitar aplikon për nënshtetësinë ose pasaportën dhe merr vesh se kërkohet të bëjë një betim besnikërie. Nëse në atë shtet kjo përfshin të betohesh se do të bësh diçka që është kundër ligjit të Perëndisë, ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës nuk do t’ia lejojë ta bëjë betimin. Megjithatë, qeveria ndoshta i jep mundësinë ta ndryshojë formulimin e betimit, në mënyrë që t’ia lejojë ndërgjegjja.

Bërja e betimit të besnikërisë të formuluar ndryshe, mund të jetë në harmoni me këtë parim që gjendet te Romakëve 13:1: «Çdo njeri të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» Meqë Perëndia kërkon prej nesh t’u bindemi autoriteteve sa herë që është e mundur, një Dëshmitar mund të vendosë se nuk ka ndonjë gjë të gabuar ta bëjë këtë betim.

Ndërgjegjja luan rol edhe nëse të kërkohet të përdorësh një objekt ose të bësh një gjest ndërsa betohesh. Romakët dhe skithasit e lashtë betoheshin për shpatat, duke përdorur kështu simbolin e një perëndie të luftës si garanci se mund t’i zije besë fjalës së tyre. Grekët ngrinin dorën drejt qiellit kur bënin një betim. Me atë gjest pranonin se ekzistonte një fuqi hyjnore që shihte çfarë bëhej e çfarë thuhej dhe së cilës njerëzit i jepnin llogari.

Natyrisht, një shërbëtor i Jehovait nuk do të betohej për një simbol kombëtar që lidhet me adhurimin e rremë ose që shpesh është objekt adhurimi. Por ç’duhet të bësh nëse gjatë një gjyqi të kërkohet të vësh dorën mbi Bibël e të betohesh se dëshmia jote do të jetë e vërtetë? Mund të vendosësh ta bësh këtë, meqë në Shkrime flitet për shërbëtorë besnikë të Perëndisë që e shoqëruan betimin me një gjest. (Zan. 24:2, 3, 9; 47:29-31) Është e rëndësishme të mbash parasysh se, kur bën një betim të tillë, po betohesh para Perëndisë se do të thuash të vërtetën. Duhet të jesh gati të thuash të vërtetën për çdo pyetje që mund të të bëjnë.

Ne e çmojmë si sytë e ballit miqësinë me Jehovain, prandaj kur na kërkohet të bëjmë ndonjë betim, duhet ta peshojmë mirë e të lutemi për këtë, që të sigurohemi se nuk dhunon ndërgjegjen tonë ose parimet e Biblës. E nëse vendosim të betohemi, duhet ta mbajmë patjetër betimin.—1 Pjet. 2:12.