Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të vazhdosh jetën pas divorcit?

Si të vazhdosh jetën pas divorcit?

«Ndihesha sikur më kishte rënë tavani mbi kokë. Jeta të ecën për bukuri, pastaj, krejt papritur, mbetesh pa asgjë.»—MARKU, * i divorcuar prej një viti.

«Im shoq u lidh me një grua që kishte moshën e vajzës sonë. Kur u divorcuam, ndihesha e lehtësuar që kisha shpëtuar nga temperamenti i tij i keq, por gjithashtu ndihesha e poshtëruar dhe e pavlerë.»—EMELINA, e divorcuar prej 17 vjetësh.

Disa divorcohen me shpresën që të bëjnë jetë më të mirë, kurse të tjerë duan të qëndrojnë të martuar, por nuk mund ta detyrojnë bashkëshortin të qëndrojë. Sidoqoftë, thuajse të gjithë ata që divorcohen, zbulojnë se jeta më pas është më e vështirë nga ç’e prisnin. Në fakt, nëse je divorcuar kohët e fundit, mund të të duket një nga gjërat më stresuese. Prandaj, shqyrtimi i disa këshillave praktike nga Bibla mund të të ndihmojë t’i përballosh me sukses vështirësitë e divorcit.

VËSHTIRËSIA 1: NDJENJAT NEGATIVE.

Stresi që sjellin problemet financiare, rritja e fëmijëve dhe vetmia, mund të jetë sfilitës dhe ndjenjat që provon jo gjithmonë fashiten kollaj. Një psikologe e kohëve të fundit, Xhudit Uolërstaini, zbuloi se edhe shumë vjet pas divorcit, disa ndihen ende të tradhtuar e të braktisur duke menduar se «jeta është e padrejtë, zhgënjyese dhe vetmitare».

ÇFARË MUND TË BËSH?

  • Shprehe hidhërimin për atë që ke humbur. Mbase të merr malli për shokun ose shoqen që e do  ende. Edhe nëse keni pasur marrëdhënie të mjerë, mbase pikëllohesh ngaqë nuk ke gëzimin që prisje nga martesa. (Proverbat 5:18) Mos ki turp ‘të qash’.—Eklisiastiu 3:1, 4.

  • Mos u veço. Ndonëse ke nevojë të rrish vetëm për të vajtuar, veçimi i tejzgjatur nuk është i mençur. (Proverbat 18:1) Bëj biseda ndërtuese me miqtë, pasi ankesat e vazhdueshme për ish-bashkëshortin, edhe kur janë me vend, mund t’i largojnë të tjerët nga ti. Nëse të duhet të marrësh vendime të rëndësishme menjëherë pas divorcit, kërkoji një miku të besuar të të ndihmojë t’i shohësh gjërat me objektivitet.

  • Kujdesu për shëndetin. Shpesh, stresi nga divorci sjell probleme fizike, si tension të lartë të gjakut ose migrenë. Ha mirë, bëj fizkulturë dhe fli mjaftueshëm.—Efesianëve 5:29.

  • Hiq gjërat që të rindezin zemërimin ndaj ish-bashkëshortit ose që nuk të nevojiten, por mbaj dokumentet e rëndësishme. Nëse të sjellin dhembje disa gjëra, si fotot e dasmës, atëherë futi në kuti dhe ruaji për fëmijët.

  • Lufto mendimet negative. Ollga, që u divorcua nga burri pasi ai kreu kurorëshkelje, tha: «E pyesja vazhdimisht veten: ‘Çfarë ka ajo tjetra që unë s’e kam?’» Megjithatë, më vonë kuptoi se përsëritja e mendimeve negative mund të sjellë «një frymë të dërrmuar».—Proverbat 18:14.

    Shumë veta kanë kuptuar se, kur i shkruajnë mendimet, kjo i ndihmon t’i qartësojnë dhe t’i mbajnë nën kontroll ato. Nëse bën këtë, përpiqu të gjesh një mendim pozitiv për të zëvendësuar mendimin negativ me të cilin po lufton. (Efesianëve 4:23) Mendo për dy shembuj:

    Mendimi negativ: E kam fajin unë për jobesnikërinë e bashkëshortit.

    Mendimi pozitiv: Bashkëshorti s’kishte të drejtë të më tradhtonte për shkak të të metave të mia.

    Mendimi negativ: Vitet më të bukura shkuan dëm me njeriun e gabuar.

    Mendimi pozitiv: Do të jem më i lumtur nëse shikoj përpara, jo mbrapa.

  • Mos ua vër veshin komenteve negative. Miq ose të afërm mund të thonë pa të keq gjëra që janë të dhembshme ose madje edhe të gabuara në rastin tënd: «Gjithsesi, ajo s’ishte aspak për ty», ose «Perëndia e urren divorcin». * Bibla këshillon me të drejtë: «Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që mund të thonë njerëzit.» (Eklisiastiu 7:21) Martina e divorcuar prej dy vjetësh, thotë: «Në vend që ta mbaj mendjen te fjalët lënduese, përpiqem t’i shoh gjërat si i sheh Perëndia. Mendimet e tij janë më të larta se tonat.»—Isaia 55:8, 9.

  • Lutju Perëndisë. Ai i nxit adhuruesit ‘ta hedhin gjithë ankthin mbi të’, sidomos kur përjetojnë vështirësi të mëdha.—1 Pjetrit 5:7.

PROVO KËTË: Shkruaj vargje biblike që mendon se janë të dobishme dhe vendosi në vende ku mund t’i shohësh shpesh. Përveç shkrimeve që tashmë janë përmendur, shumë të divorcuar kanë nxjerrë dobi nga këto vargje: Psalmi 27:10; 34:18; Isaia 41:10 dhe Romakëve 8:38, 39.

Lejoje Fjalën e Perëndisë të të mbështetë në vështirësi

VËSHTIRËSIA 2: MARRËDHËNIA ME ISH-BASHKËSHORTIN.

Xhuliana, e cila kishte 11 vjet e martuar, thotë: «Iu përgjërova burrit të qëndronte. Gjithsesi, pasi u largua, vloja nga zemërimi për të dhe për gruan me të cilën shkoi të jetonte.» Shumë të divorcuar  mbeten për vite të tëra tejet të zemëruar me ish-bashkëshortin. Prapëseprapë, në disa raste ata janë të detyruar të komunikojnë rregullisht me njëri-tjetrin, si për shembull nëse kanë fëmijë.

ÇFARË MUND TË BËSH?

  • Mbaj një marrëdhënie formale me ish-bashkëshortin. Përqendrohu te çështjet e nevojshme, bjeri shkurt dhe hyr drejt e në temë. Shumë veta kanë vërejtur se kjo mënyrë të vepruari i kontribuon paqes.—Romakëve 12:18.

  • Shmang të folurin provokues. Veçanërisht atëherë kur ndihesh i sulmuar, mund të zbatosh këshillën e mençur të Biblës: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri.» (Proverbat 17:27) Nëse nuk mund ta vësh në vijë një bisedë të pafrytshme, mund të thuash: «Më duhet ta mendoj këtë që the. Flasim më vonë.»

  • Ndaji sa më shumë gjërat e tua nga ato të ish-bashkëshortit, si për shembull dokumentet ligjore, financiare dhe mjekësore.

PROVO KËTË: Herën tjetër që do të flasësh me ish-bashkëshortin, shiko nëse ndonjëri prej jush po vihet në mbrojtje ose po bëhet joelastik. Nëse është e nevojshme, kërkoji ta ndërpritni bisedën ose bini dakord ta diskutoni çështjen nëpërmjet email-it.—Proverbat 17:14.

VËSHTIRËSIA 3: NDIHMOJI FËMIJËT TË PËRSHTATEN.

Maria sjell ndër mend situatën pas divorcit: «Vajza e vogël qante gjithë kohës dhe filloi sërish të lagte natën në shtrat. Edhe te vajza e madhe kisha vënë re ndryshime, ndonëse përpiqej t’i fshihte ndjenjat.» Mjerisht, mbase ndihesh sikur s’ke kohë ose energji emocionale për të ndihmuar fëmijët pikërisht atëherë kur kanë më shumë nevojë për ty.

ÇFARË MUND TË BËSH?

  • Nxiti fëmijët të flasin me ty për ndjenjat e tyre, edhe nëse duket se kjo sjell «fjalë të rrëmbyera».—Jobi 6:2, 3.

  • Mbaj rolin e duhur. Ndonëse mund të kesh shumë nevojë për mbështetje emocionale dhe fëmija duket i gatshëm të ta ofrojë, për të nuk është e drejtë dhe as e shëndetshme ta përfshish në problemet e të rriturve. (1 Korintasve 13:11) Mos u hap me fëmijën, as mos e lejo të veprojë si ndërmjetës ose korrier mes teje dhe ish-bashkëshortit.

  • Përpiqu të mos bësh ndryshime në jetën e fëmijës. Është mirë të mbash të njëjtën shtëpi dhe të njëjtin program, por është edhe më e rëndësishme të ruani si familje marrëdhënien e fortë me Perëndinë, për shembull me anë të leximit të Biblës dhe të adhurimit familjar.—Ligji i përtërirë 6:6-9.

PROVO KËTË: Këtë javë siguroji fëmijët se i do dhe se nuk ishin ata shkaku i divorcit. Përgjigjju pyetjeve të tyre pa ia hedhur fajin prindit tjetër.

Mund të vazhdosh jetën edhe pas divorcit. Pas një martese 16-vjeçare, Melisa thotë: «Kur u divorcova, mendova: ‘Kjo nuk është jeta që prisja.’» Megjithatë, tani ka mësuar të jetë e kënaqur, pavarësisht nga rrethanat. Ajo thotë: «Që kur nuk u përpoqa më ta ndryshoja të kaluarën, u ndjeva shumë më mirë.»

^ par. 2 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 18 Perëndia e urren divorcin e kurdisur me mashtrim dhe me pabesi. Por, nëse njëri bashkëshort kryen kurvëri, Perëndia i jep bashkëshortit të pafajshëm të drejtën të vendosë nëse do të divorcohet ose jo. (Malakia 2:16; Mateu 19:9) Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës—Çfarë lloj divorci urren Perëndia?» te revista Zgjohuni! e 8 shkurtit 1994, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYET VETEN . . .

  • A i kam lënë vend hidhërimit?

  • Si të mos mbaj mëri ndaj ish-bashkëshortit?