Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Kapërcehet pengesa e gjuhëve​—Prapa skenës

Kapërcehet pengesa e gjuhëve​—Prapa skenës

«Ndonjëherë thuhet se nuk ka punë më komplekse se përkthimi.»​—The Cambridge Encyclopedia of Language.

PARA se botimet e Dëshmitarëve të Jehovait të përkthehen, bëhet kujdes për planifikimin, kërkimet dhe shkrimin e tyre. Gjatë kësaj faze, Reparti i Shkrimit në selinë e tyre botërore në Nju-Jork kontrollon mirë tekstin, nëse informacionet janë të sakta dhe gjuha është e saktë dhe e kohës. *

Pas kësaj, Reparti i Shkrimit ua dërgon tekstin qindra skuadrave të përkthimit në mbarë botën. Shumica e tyre jetojnë e punojnë aty ku flitet gjuha në të cilën përkthejnë. Pjesa më e madhe përkthejnë në gjuhën amtare. Ata duhet ta kuptojnë mjaft mirë materialin origjinal, si edhe gjuhën e tyre.

Çfarë bëjnë konkretisht përkthyesit?

Geranti, një përkthyes në Britani, shpjegon: «Punoj me një skuadër përkthyesish, prandaj bashkëpunimi i mirë është i domosdoshëm. Së bashku diskutojmë si t’i zgjidhim problemet që dalin gjatë përkthimit. Dhe gjatë diskutimit nuk shqyrtojmë vetëm fjalë, por edhe shprehje. Peshojmë mirë kuptimin e qëllimin e tyre, duke pasur gjithmonë në mend lexuesin të cilit i drejtohet çdo artikull.»

Cili është qëllimi juaj si përkthyes?

«Qëllimi ynë është që teksti t’i lërë lexuesit ndjesinë sikur është shkruar që në fillim në gjuhën e tij. Nuk duhet të duket si përkthim. Për këtë arsye përpiqemi të përdorim gjuhë të natyrshme. Kjo lloj gjuhe do të mbajë gjallë interesin e lexuesit, kështu ai do të vazhdojë leximin sikur të jetë duke ngrënë diçka të shijshme për qiellzën.»

Cilat janë avantazhet kur jeton aty ku flitet gjuha?

«Kur jeton mes vendësve, pasuron gjuhën, sepse dëgjon gjuhën e përditshme. Përveç kësaj, mund të pyesim vendësit nëse një term ose shprehje është e natyrshme, e kuptueshme dhe tërheqëse. Kjo na ndihmon të përcjellim kuptimin e vërtetë të tekstit origjinal.»

Si e organizoni punën?

«Për çdo projekt përkthimi caktohet një skuadër. Në fillim, çdo pjesëtar i skuadrës lexon tekstin origjinal që të kuptojë thelbin dhe mënyrën si është organizuar, si dhe të dallojë kujt i drejtohet. Pyesim veten: ‘Cili është mesazhi i artikullit? Cila është tema dhe qëllimi i tij? Çfarë mësoj prej tij?’ Kështu futemi në brendësi të materialit.

Pastaj shkëmbejmë idetë me pjesëtarët e tjerë të skuadrës dhe kështu mësojmë nga njëri-tjetri. A jemi të sigurt se e kuptojmë materialin? Si të ruajmë të njëjtin stil? Kemi si qëllim që teksti të ngjallë te lexuesi të njëjtin reagim që do të ngjallte teksti origjinal te lexuesi i vet.»

Si bashkëpunojnë pjesëtarët e skuadrës?

«Synimi ynë është që lexuesi ta kuptojë tekstin që me leximin e parë. Ja pse çdo paragraf të përkthyer e lexojmë me zë disa herë.

Përkthyesi shkruan një paragraf ndërkohë që dy të tjerët e ndjekin në monitorin e tyre. Kontrollojmë që të mos hiqet a të shtohet ndonjë ide. Gjithashtu kujdesemi për natyrshmërinë, drejtshkrimin dhe saktësinë gramatikore. Pastaj, njëri e lexon me zë paragrafin e përkthyer. Nëse ai ngec gjatë leximit, përpiqemi të kuptojmë arsyen. Pasi përkthejmë të gjithë artikullin, njëri nga skuadra e lexon me zë ndërsa dy të tjerët mbajnë shënim nëse ka nevojë për përmirësim.»

Sa punë e lodhshme!

«Ashtu është. Në fund të ditës jemi të lodhur. Ndaj të nesërmen në mëngjes e shohim përsëri tekstin e përkthyer me një sy tjetër. Pas disa javësh Reparti i Shkrimit na dërgon ndryshimet e fundit për tekstin origjinal. Pastaj e rilexojmë tekstin e përkthyer me një sy e vesh tjetër dhe bëjmë rregullimet e duhura.»

Ç’mjete elektronike përdorni?

«Kompjuterët akoma nuk kanë arritur ta zëvendësojnë përkthimin e njeriut. Por, Dëshmitarët e Jehovait kanë zhvilluar mjete përkthimi që na e lehtësojnë punën. Një prej tyre është fjalori ku futim termat e shprehjet që përdoren më tepër. Falë një mjeti tjetër bëjmë kërkime në gjithë materialet e përkthyera deri tani nga skuadra jonë dhe shohim zgjidhjet e gjetura që u janë dhënë më parë shprehjeve të vështira.»

Si ju duket puna që bëni?

«Punën tonë e konsiderojmë si dhuratë për lexuesin. Prandaj, këtë dhuratë përpiqemi ta paketojmë sa më bukur. Na bëhet zemra mal kur mendojmë se një artikull reviste ose Interneti mund ta prekë lexuesin, aq sa t’ia ndryshojë jetën për mirë.»

Dobi për gjithë jetën

Anembanë botës, qindra miliona njerëz nxjerrin dobi kur lexojnë në gjuhën e tyre botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mençuria praktike që gjendet në botimet, në videot dhe në sitin e tyre jw.org, bazohet te Bibla. Në fund të fundit, ky libër i shenjtë thotë se Perëndia, që e ka emrin Jehova, do që mesazhi i tij t’u çohet njerëzve të «çdo kombi, fisi, gjuhe».​—Zbulesa 14:6. *

^ par. 4 Teksti origjinal përgatitet në anglisht.

^ par. 25 Vizito sitin www.mt711.com për të parë botime në formë të shkruar, audio dhe video në gjuhën tënde dhe në qindra gjuhë të tjera.