Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kesh më shumë durim

Si të kesh më shumë durim

PASI lexove dy artikujt e parë, patjetër që je dakord se po të kesh më shumë durim, do të gëzosh shëndet më të mirë, do të marrësh vendime më të mençura dhe do të kesh miq të mirë. Atëherë, si mund të mësosh të jesh më i duruar? Shiko sugjerimet e mëposhtme.

Dallo shkaqet:

Gjërat ose situatat që të bëjnë ta humbësh durimin quhen shkaqe padurimi. Çfarë të ngjall padurim ty? A janë disa individë në veçanti që ta sprovojnë durimin? Mbase për ty, bashkëshorti, prindërit ose fëmijët janë shkaktarët kryesorë të padurimit. Apo mos ndoshta, në rastin tënd, padurimi lidhet më tepër me kohën? Për shembull, a e humb durimin zakonisht kur të duhet të presësh të tjerët ose kur po bëhesh vonë? A e humb durimin kur je i lodhur, i uritur, përgjumësh ose i stresuar nga diçka? E humb më shpesh durimin në shtëpi apo në punë?

Si mund të të ndihmojë identifikimi i shkaqeve të padurimit? Shumë kohë më parë, mbreti Solomon shkroi: «Njerëzit me mend i nuhatin telashet dhe fshihen, kurse naivët turren para dhe vuajnë pasojat.» (Proverbat 22:3, God’s Word Bible) Në harmoni me këtë proverb të lashtë biblik, nëse i parashikon ose ‘i nuhat’ rastet kur ka të ngjarë të vlosh nga padurimi, mund t’i parandalosh. Në fillim mund të të duhet të bësh përpjekje të menduara mirë që të jesh më i duruar, por me kohë durimi mund të bëhet një cilësi që e shfaq natyrshëm.

Thjeshto jetën:

Sipas Norina Hercfeldit, pedagoge e shkencave kompjuterike në Universitetin e Sent-Xhonit në Minesota, SHBA, «njerëzit në të vërtetë nuk mund të bëjnë disa punë njëherësh. Truri nuk përqendrohet dot te disa gjëra njëkohësisht». Ajo shton: «Me kalimin e kohës, marrja me shumë gjëra njëherazi na dëmton aftësinë që të përqendrojmë vëmendjen, e kjo dalëngadalë gërryen cilësi si durimi, këmbëngulja dhe aftësinë për të gjykuar e për të zgjidhur problemet.»

Është e vështirë të kultivosh durim kur je i stresuar ngaqë duhet të bësh një mal me gjëra, duhet të jesh në një mijë vende dhe duhet të komunikosh me një mori njerëzish. Dr. Xhenifer Hartshtajni, që u përmend më parë në këtë seri, paralajmëron: «Në thelb, shkaku i shumë prej reagimeve tona të paduruara është stresi.»

Gjej kohë ta shijosh jetën. Gjej kohë të lidhësh miqësi rrënjëthella me pak veta, në vend se të rendësh pas miqësive të cekëta me një rreth të stërmadh njerëzish. Tregohu nikoqir me kohën dhe i mençur kur vendos përparësitë. Kujdes nga aktivitetet e kohës së lirë dhe nga pajisjet elektronike që të vjedhin kohë.

Që ta thjeshtosh jetën, mund të të duhet të shqyrtosh rutinën tënde të përditshme. Cilat janë gjërat ku mund ta ulësh ritmin ose që mund t’i eliminosh? Një proverb biblik thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar . . . , një kohë për të  mbajtur dhe një kohë për të flakur.» (Eklisiastiu 3:1, 6) Ndoshta tani është koha të heqësh disa gjëra që ta hanë kohën, e kështu nuk do të jesh tepër i zënë për të treguar durim.

Ji realist:

Shihe jetën me sy realist. Para së gjithash, në jetën reale gjërat nuk ndodhin gjithmonë aq shpejt sa do të donim. Duhet të pranojmë faktin se koha ecën me shpejtësinë e vet, jo me shpejtësinë që do të kishim qejf ne. Ky quhet durim.

Së dyti, mos harro se nuk mund t’i kesh gjithnjë në dorë rrethanat e tua. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Garën nuk e fiton gjithmonë më i shpejti; betejën nuk e fiton gjithmonë ushtria më e fortë; më të mençurit jo gjithmonë i jepet ushqimi që fiton; më i zgjuari jo gjithmonë ka pasuri dhe njeriu i mësuar jo gjithmonë merr lëvdatat që meriton. Kur vjen koha, gjithkujt i ndodhin gjëra të këqija! Njeriu nuk e di kurrë ç’e pret më pas.»​—Eklisiastiu 9:11, 12, Holy Bible​—Easy-to-Read Version.

Në vend që të humbësh durimin për rrethana që nuk i ke në dorë, mundohu të përcaktosh gjërat që i ke në dorë. Të bëjmë një shembull: në vend që të të hipin nervat kur vonohet autobusi ose treni, përpiqu të gjesh një mënyrë tjetër për të shkuar atje ku do. Edhe thjesht të ecësh mund të jetë më mirë sesa të hash veten nga inati e padurimi. Nëse e vetmja mundësi që ke është të presësh, përdore kohën për ndonjë gjë të dobishme, si për shembull të lexosh diçka që ia vlen ose të shkruash planet për aktivitete që të presin para.

Realiteti i jetës është që nuk nxjerr gjë në dritë po të shqetësohesh për gjëra që s’varen nga ti. Sa të goditura janë fjalët e Biblës: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?»​—Luka 12:25.

Ndërto miqësinë me Perëndinë:

Shumë njerëz që besojnë te Fjala e Perëndisë, kanë vërejtur se duke zbatuar parimet e saj, mund të kultivojnë durimin. Sipas Biblës, kush bëhet mik me Perëndinë, është më i prirur të shfaqë durim, si edhe virtyte të tjera të rëndësishme si dashuria, gëzimi, paqja, ëmbëlsia dhe vetëkontrolli. (Galatasve 5:22, 23) Bibla premton: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.» (Filipianëve 4:6, 7) Studioje Biblën dhe mëso si të kesh më pak ankth në jetë e më shumë durim.