Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lopa me dy pallto leshi

Lopa me dy pallto leshi

KUR sheh brirët e harkuar, cullufet e gjata mbi sy dhe gëzofin e dendur e të shpupuritur që i mbulon trupin e lidhur, e kupton menjëherë se ke para lopën e malësisë.

Kjo kafshë e fortë njihet si një nga racat më të hershme të gjedhëve. Për shekuj është rritur më së miri në motin e ashpër të malësisë dhe të ishujve të Skocisë. Në fillim, gjedhët që kullotnin thellë në zonat malore ishin më të mëdhenj e qimekuq, kurse ata në ishujt e bregut perëndimor ishin më të vegjël e zakonisht të zinj. Sot, lopa e malësisë konsiderohet si një racë e vetme dhe ka ngjyra të larmishme: e kuqe, e zezë, kafe e çelët, e verdhë e deri në të bardhë.

Balluket e saj të dendura e thuajse qesharake luajnë rol jetik. Në dimër e mbrojnë nga bora, shiu dhe era e furishme. Në verë mbajnë larg insektet fluturuese që mund t’i shkaktojnë infeksion.

Një grup gjedhësh zakonisht e quajmë tufë, mirëpo tufat e lopëve të malësisë quhen vathë. Ky term vjen nga kohët e hershme kur fermerët skocezë i futnin natën gjedhët në një strehë të rrethuar nga tri anë me mur guri që e quanin vathë. Kështu i mbronin nga moti i egër dhe nga ujqërit.

Pallto për t’u pasur zili

Lopa e malësisë është unike mes gjedhëve. Me atë gëzof që ka, ngjan sikur ka veshur dy pallto leshi. Palltoja e sipërme ka qime të dendura e të gjata që ndonjëherë arrijnë në 33 centimetra. Në këtë pallto të leshtë e të yndyrshme nuk depërton as  shiu, as bora. Nën të, palltoja e poshtme prej leshi është e butë dhe e mban ngrohtë.

Xhimi, që prej shumë vitesh punon me këtë racë lopësh, shpjegon: «T’i shkumosh ato është tepër e vështirë, sepse është gati e pamundur që uji të hyjë në brendësi.» Falë gëzofit, lopa e malësisë rritet mbarë e shumohet në terren malor ku e rrahin shirat e rrëmbyer dhe erërat e acarta, atje ku asnjë racë tjetër gjedhësh nuk do të mbijetonte.

Edhe kur vera është tepër e nxehtë dhe e thatë, lopa e malësisë përshtatet: i bien qimet e palltos së sipërme të trashë. Më vonë, kur kthehen ditët e ftohta e të lagështa, bën pallto të re.

Një pasuri e pashoqe

Ndryshe nga delet që zakonisht e shkatërrojnë bimësinë sepse hanë rrënjë e bisqe, lopët​—përfshirë edhe ato të malësisë—​nuk i dëmtojnë bimët. Në fakt, lopa e malësisë i përmirëson kullotat e varfra. Si? Me brirët e gjatë e të fuqishëm dhe turirin e gjerë pastron shkurret që s’duhen, të cilave shumica e gjedhëve të tjerë as nuk u afrohen. Ky pastrim i përtërin bimët dhe pemët.

Dy palltot e leshta të lopës së malësisë kanë edhe një të mirë tjetër të madhe. Meqë lopa nuk ka nevojë për shtresë tjetër dhjami që ta mbaj ngrohtë, mishi i saj ka më pak yndyrna e kolesterol dhe më shumë proteina e hekur se mishi i gjedhëve të tjerë. Ky mish me cilësi të lartë sigurohet pa harxhuar shumë për t’i ushqyer.

Pak kujdes!

Lopët e malësisë kanë jetuar afër njerëzve prej sa e sa kohësh. Dikur skocezët i mbanin në katin përdhes të shtëpisë. Kështu, kati i sipërm ku jetonte familja ishte më i ngrohtë.

Edhe pse në përgjithësi gjedhët e zbutur janë të urtë e të bindur, me raste disa lopë të malësisë mund të bëhen të rrezikshme. Për shembull, nëna e një viçi rri gati ta mbrojë të voglin e saj. Gjithashtu, duhet të kesh kujdes e t’i biesh përqark një vathe me lopë të malësisë, jo t’i kalosh përmes.

Lopa e malësisë përshtatet kollaj, prandaj është një racë e kërkuar në mbarë botën. Ajo rritet për bukuri në veriun e largët, deri në Alaskë e Skandinavi, dhe mund të kullotë edhe 3.000 metra lart në vargmalet e Andeve. Por, në të njëjtën kohë, ia del mbanë edhe në zona të ngrohta.

Skocia është e njohur jo vetëm për tartanin, stofin tradicional skocez, për fundin karakteristik dhe për gajden, por edhe për lopën e bukur të malësisë që s’ka të dytë. A ka lopë me dy pallto leshi në vendin tënd?