Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse është sosur durimi?

Pse është sosur durimi?

PADURIMI ka qenë bashkudhëtari ynë prej kohësh. S’është ndonjë gjë e re që njerëzit të humbin durimin kur ngecin në trafik ose kur mbajnë radhë. Megjithatë, disa specialistë mendojnë se sot njerëzit kanë më pak durim se në të kaluarën, e madje për shkaqe që mund të të çuditin.

Një sërë analistësh kanë hedhur idenë se vitet e fundit shumë njerëz janë bërë më të paduruar për shkak të teknologjisë. Sipas The Gazette të Montrealit, Kanada, disa studiues mendojnë se «teknologjia dixhitale, që nga celularët e deri te kamerat, email-et dhe iPod-et, po na ndryshon jetën . . . Ngaqë kjo teknologji na jep rezultate në çast, na është hapur oreksi që të na plotësohen dëshirat në çast edhe në aspekte të tjera të jetës».

Psikologia dr. Xhenifer Hartshtajn bën disa komente që të vënë në mendime. Ajo shpjegon se «jemi shndërruar në një shoqëri që kërkon t’i plotësohen dëshirat në vend, dhe presim që gjërat të ecin para me shpejtësi, me efektshmëri dhe siç duam ne. Kur s’ndodh kështu, kemi prirjen të mërzitemi e të acarohemi gjithnjë e më shumë,  [një shenjë] padurimi». Më tej thotë se «kemi harruar ta marrim shtruar hera-herës dhe të shijojmë momentin, çka është një art më vete».

Disa mendojnë se email-i po e humb popullaritetin dhe së shpejti mund të dalë mode. Përse? Sepse mjaft nga ata që dërgojnë mesazhe, nuk kanë durim të presin disa orë, a qoftë edhe disa minuta, që të marrin përgjigje. Gjithashtu, shpesh pritet që email-et, ashtu si letrat, të hapen e të mbyllen me përshëndetje. Por, shumë njerëz i shohin këto rregulla si të mërzitshme dhe si humbje kohe. Preferojnë mesazhet e çastit në Internet, pa etiketën që kërkon email-i. Duket se njerëzit nuk kanë durim as të shkruajnë përshëndetje mirësjelljeje. Shumë veta s’e marrin mundimin t’i hedhin një sy asaj që kanë shkruar. Si pasojë, ndodh që letrat dhe email-et t’u shkojnë personave të gabuar ose të jenë plot gabime gramatikore dhe gafa shpejtësie.

Shumë njerëz nuk kanë durim të lexojnë nga fillimi në fund faqe të tëra të shtypura

Etja për rezultate të menjëhershme nuk vihet re vetëm në komunikimin dixhital. Me sa shihet, edhe në fusha të tjera të jetës, njerëzit po e humbin aftësinë për të pritur. Për shembull, a të ndodh ndonjëherë të flasësh tepër shpejt, të hash tepër shpejt, t’i japësh makinës tepër shpejt ose t’i harxhosh paratë tepër shpejt? Ato pak çaste që duhet të presësh sa të vijë ashensori, sa të ndryshojë drita e semaforit ose sa të hapet kompjuteri mund të duken një përjetësi.

Ekspertët kanë vërejtur se shumë njerëz nuk kanë durim të lexojnë nga fillimi në fund faqe të tëra të shtypura. Pse? Se e kanë zakon të lundrojnë me shpejtësi në faqe Interneti, duke u hedhur nga një diçiturë në tjetrën dhe nga një pikë në tjetrën, me shpresën që të dalin sa më shpejt te pika kryesore.

Pse u është sosur durimi njerëzve? Specialistët nuk dinë gjithçka për shkaqet e padurimit. Gjithsesi, ka fakte të pamohueshme që tregojnë se padurimi mund të jetë i dëmshëm. Në artikujt vijues do të shohim disa nga rreziqet e padurimit dhe ç’mund të bësh që të kesh më shumë durim.

Shumë veta e kanë zakon të lundrojnë me shpejtësi në faqe Interneti, duke u hedhur nga një pikë në tjetrën