Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’të bëj nëse mërzitem?

Ç’të bëj nëse mërzitem?

 Për disa, nuk ka gjë më të keqe se të rrinë mbyllur në shtëpi një pasdite me shi kur s’kanë çfarë të bëjnë e as ku të shkojnë. Një i ri që quhet Robert, thotë: «Në ditë si këto thjesht rri kot dhe s’kam asnjë ide se çfarë të bëj.»

 A je ndier ndonjëherë kështu? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Çfarë duhet të dish

  •   Teknologjia mund të mos të ndihmojë.

     Interneti mund të jetë një mënyrë për të kaluar kohën, por edhe mund të të ndrydhë imagjinatën dhe kështu vetëm sa do të mërziteshe më shumë. «Mund të përfundosh me sytë të ngulur në ekran, pa e vënë fare trurin në punë»,—thotë Xheremi, 21 vjeç.

     Një e re me emrin Elena, mendon njësoj. Ajo thotë: «Ama, teknologjia s’të ndihmon gjithmonë. Të largon nga realiteti, dhe, në momentin që shkëputesh prej saj, ndihesh edhe më i mërzitur.»

  •   Qëndrimi bën diferencën.

     A do të të kalojë mërzitja thjesht ngaqë ke plot për të bërë? Varet shumë nga sa të intereson ajo që po bën. Për shembull, një e re me emrin Kerën, kujton: «Shkolla më dukej shumë e mërzitshme, edhe pse gjatë ditës duhej të bëja tërë ato gjëra. Ndaj, që të mos mërzitesh, duhet të zhytesh në atë që po bën.»

 A e dije? Opsioni «asgjë për të bërë» nuk është pengesë, por mundësi, një tokë pjellore ku mund të rritet kreativiteti.

Koha që ke në dispozicion, është një tokë pjellore ku mund të rritet kreativiteti

 Ç’mund të bësh

 Zgjero horizontin. Bëj miq të rinj. Merru me një hobi të ri. Mëso gjëra të reja. Njerëzit që u interesojnë gjëra të ndryshme, mërziten më pak kur rrinë vetëm dhe janë më pak të mërzitshëm kur rrinë me të tjerët.

 Parimi biblik: «Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde.»​—Eklisiastiu 9:10, Diodati i Ri.

 «Kohët e fundit nisa të mësoja gjuhën kineze mandarin, dhe, duke e praktikuar çdo ditë, kuptova që më kishte marrë malli të mësoja kështu. Më pëlqen shumë të kem një projekt në mendje. Më ndihmon të jem e përqendruar dhe ta përdor mirë kohën.»​—Melinda.

 Mbaj sytë te synimi. Nëse e ke të qartë qëllimin pse po e bën diçka, do ta bësh më me qejf. Madje, edhe detyrat e shkollës mund të të duken më pak të mërzitshme.

 Parimi biblik: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se . . . të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.»​—Eklisiastiu 2:24.

 «Aty nga fundi i shkollës, më duhej të studioja tetë orë në ditë ngaqë kisha ngelur mbrapa. A ishte e mërzitshme? Jo, sepse isha e vendosur të arrija synimin. U përqendrova te rezultati final, te diplomimi, dhe kjo më motivoi.»​—Hana.

 Prano gjërat që nuk i ndryshon dot. Edhe aktivitetet më emocionuese do të kenë të paktën disa aspekte monotone. Madje me raste, edhe miqtë më të mirë i anulojnë takimet dhe mund të mbetesh pa ndonjë plan. Në vend që të bëhesh viktimë e rrethanave dhe të biesh pre e ndjenjave negative, përpiqu të jesh pozitiv.

 Parimi biblik: «Kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.»​—Proverbat 15:15.

 «Një shoqe më sugjeroi të shijoja kohën kur rrija vetëm. Më foli edhe për një aftësi jetësore, e vlefshme për të gjithë, të gjej ekuilibrin mes kohës që kaloj me të tjerët dhe kohës kur rri vetëm.»​—Ajvi.