Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta përballoj ndarjen?

Si ta përballoj ndarjen?

 Stiveni thotë: «Kur u ndava nga e dashura, ndihesha i dërrmuar fare. S’kisha ndier ndonjëherë dhimbje më të madhe emocionale.»

 A të ka ndodhur edhe ty një gjë e tillë? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Ndjenjat që mund të provosh

 Pa diskutim që një ndarje u shkakton dhimbje të dyja palëve të përfshira.

  •   Nëse ndarjen e kërkove ti, ka mundësi që e kupton mirë Jasminën, e cila tha: «Dijenia se lëndova dikë që e kisha për zemër ishte një barrë në ndërgjegjen time që shpresoj mos ta mbaj më kurrë.»

  •   Nëse ndarjen nuk e kërkove ti, atëherë ka mundësi që e kupton pse disa e kanë barazuar dhimbjen që sjell ajo me pikëllimin kur të vdes një njeri i dashur. Një e re me emrin Xhaneta, u shpreh: «Në të vërtetë kalova të gjitha fazat e procesit të pikëllimit, përfshirë mohimin, zemërimin, dëshpërimin dhe në fund, thuajse një vit më pas, pranimin.»

 Përfundimi: Pas një ndarjeje mund të ndihesh përtokë dhe i dëshpëruar. Një shkrimtar i Biblës e përshkroi kështu: «Një frymë e dërrmuar i than kockat.»​—Proverbat 17:22.

 Ç’mund të bësh

  •  Fol me një mik të pjekur. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Kur ia zbraz ndjenjat prindit a një miku të pjekur, kjo mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat ndryshe.

     «Për muaj të tërë u mbylla në vetvete dhe nuk i tregova askujt si ndihesha. Por miqtë mund të të ndihmojnë të shërohesh emocionalisht, ndaj vetëm kur fola me ta, gjeta njëfarë lehtësimi.»​—Xhaneta.

  •  Mëso nga ajo që ndodhi. Një proverb tjetër biblik thotë: «Fito mençuri, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:5) Eksperiencat jo të këndshme mund të na mësojnë shumë për veten dhe për mënyrën si reagojmë përballë zhgënjimit.

     «Pasi u ndava, një shok më pyeti se ‘çfarë kisha mësuar nga kjo lidhje dhe si mund të më ndihmonte kjo kur të lidhesha sërish në të ardhmen’.»​—Stiveni.

  •  Lutu. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Lutjet mund të të ndihmojnë të përballosh dhimbjen dhe ta shohësh me tjetër sy ndarjen.

     «Lutu vazhdimisht. Jehovai e kupton dhimbjen tënde dhe madje e njeh situatën më mirë se ti vetë.»​—Marsia.

  •  Ndihmo të tjerët. Bibla thotë: ‘Shihni me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’ (Filipianëve 2:4) Sa më shumë të ndihmosh të tjerët, aq më shpejt do të fitosh pikëpamjen e duhur për ndarjen.

     «Ndarja mund të duket si fundi i botës dhe mund të lëndojë më shumë se dhimbjet fizike. Megjithatë kuptova se dhimbja kalon, thjesht duhej ti jepja kohë vetes që kjo plagë emocionale të shërohej.»​—Evelina.