Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A është vërtet seks seksi oral?

A është vërtet seks seksi oral?

 Sipas një raporti të Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth gjysma e të anketuarve nga mosha 15 deri në 19 vjeç kishin kryer seks oral. «Nëse flet me adoleshentët [për seksin oral], ata thonë se s’ka asgjë të gabuar. Në fakt, ata s’e konsiderojnë fare seks»,​—thotë Sharlina Azam, autorja e librit Oral Sex Is the New Goodnight Kiss.

 Si mendon?

 Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme me po ose jo.

  1.   A mund të ngelet shtatzënë një vajzë kur kryen seks oral?

    1.   Po

    2.   Jo

  2.   A ka ndonjë rrezik për shëndetin seksi oral?

    1.   Po

    2.   Jo

  3.   A është vërtet seks seksi oral?

    1.   Po

    2.   Jo

 Cilat janë faktet?

 Krahasoji përgjigjet e tua me ato më poshtë.

  1.   A mund të ngelet shtatzënë një vajzë kur kryen seks oral?

     Përgjigjja: Jo. Kjo është një arsye pse shumë veta nxjerrin përfundimin​—ndonëse të gabuar​—se seksi oral është i padëmshëm.

  2.   A ka ndonjë rrezik për shëndetin seksi oral?

     Përgjigjja: Po. Dikush që bën seks oral mund të sëmuret me hepatit (A ose B), lytha gjenitale, gonorre, herpes, HIV dhe sifiliz.

  3.   A është vërtet seks seksi oral?

     Përgjigjja: Po. Çdo sjellje që ka të bëjë me organet gjenitale të dikujt tjetër​—ku përfshihen marrëdhëniet seksuale, seksi oral, seksi anal dhe masturbimi i një personi tjetër​—është seks.

 Pse ka rëndësi?

 Shqyrto disa shkrime biblike që lidhen me temën e seksit oral.

 Bibla thotë: «Vullneti i Perëndisë është ky: . . . të rrini larg nga kurvëria [ose imoraliteti seksual].»​—1 Selanikasve 4:​3.

 Fjala në gjuhën origjinale që përkthehet «imoralitet seksual», u referohet të gjitha formave të sjelljes intime jashtë martese, ku përfshihen marrëdhëniet seksuale, seksi oral, seksi anal dhe masturbimi i një personi tjetër. Dikush që përfshihet në imoralitet seksual mund të ketë pasoja të rënda, ku më tragjikja është një miqësi e dëmtuar me Zotin.​—1 Pjetrit 3:12.

 Bibla thotë: «Ai që praktikon kurvërinë [ose imoralitetin seksual], mëkaton kundër trupit të vet.»​—1 Korintasve 6:18.

 Seksi oral mund të sjellë pasoja fizike, por mund të dëmtojë edhe miqësinë me Zotin. Mund të sjellë edhe dëme emocionale. «Nuk është vetëm seksi vaginal që të bën të ndihesh e shfrytëzuar, e brishtë ose të provosh keqardhje,​—thotë libri Talking Sex With Your Kids.—Të gjitha ndjenjat e këqija që mund të shkaktojnë marrëdhëniet seksuale në një rrethanë të gabuar, mund t’i shkaktojë çdo lloj seksi në rrethanën e gabuar. Seksi është seks.»

 Bibla thotë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»​—Isaia 48:​17.

 A beson se mund të nxjerrësh vërtet dobi nga ligjet e Perëndisë që kanë të bëjnë me seksin? Apo mendon se ato janë kufizuese? Si ndihmë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, mendo për një autostradë me trafik të rënduar, që ka tabela për kufizim shpejtësie, sinjalistikë për trafikun dhe tabela ndaluese. A i konsideron tabelat dhe sinjalistikën si kufizim apo si mbrojtje? Çfarë do të ndodhte nëse ti​—dhe shoferët e tjerë​—do t’i shpërfillnit ato?

Ligjet për trafikun rrugor ta kufizojnë lirinë, ama të mbrojnë. Edhe ligjet e Zotit të vënë disa kufizime, ama të mbrojnë

 Kjo ngjason me normat e Perëndisë. Nëse i shpërfill, është e sigurt që do të korrësh atë që mbjell. (Galatasve 6:7) «Sa më shumë t’i braktisësh bindjet dhe vlerat e tua, e të bësh gjëra për të cilat nuk ndihesh mirë, aq më pak respekt do të kesh për veten»,​—thotë libri Sex Smart. Krejt ndryshe, nëse jeton sipas normave të Zotit, do të tregosh vërtet karakter të moralshëm. Për më tepër, do të mbash një ndërgjegje të pastër.​—1 Pjetrit 3:16.